
Milot Avdyli është i bindur se Celje mund të shkruajë historinë dhe të sigurojë kualifikimin në fazën e ligës së Ligës së Kampionëve.
Ish-kapiteni i Kosovës U21 ishte protagonist në barazimin ndaj Slovan Bratislavës, duke shënuar një supergol që i dha skuadrës së tij një rezultat të rëndësishëm para ndeshjes së kthimit.
“Dua të ndihmoj ekipin dhe gjithmonë do të bëj më të mirën për të realizuar ëndrrën e kualifikimit në Ligën e Kampionëve. Mendoj se jemi në rrugën e duhur për sukses”, u shpreh Avdyli.
Ai vlerësoi karakterin e skuadrës në një transfertë të vështirë, duke theksuar se Celje do të tentojë të përsërisë të njëjtën paraqitje edhe në ndeshjen e kthimit.
Ndërkohë, Avdyli ende nuk ka marrë ftesë nga Kombëtarja A e Kosovës. Situata mund të tërheqë vëmendjen e Shqipërisë, e cila mund të tentojë ta bindë talentin kosovar të zgjedhë fanellën kuqezi.
