Ish deputetja e PD-së Jorida Tabaku deklaroi se pandemia e COVID-19 nxori përfundimisht para çdo shqiptari fytyrën e vërtetë të qeverisë së fshehur pas maskës së propagandës. Ajo shpreh shqetësimin se në 7 vjet, taksat e rritura të shqiptarëve shkuan në xhepat e oligarkëve.

“Korrupsioni dhe vjedhja u kthyen në veprimtarinë kryesore. Edhe sot, në kulmin e pandemisë qeveria zien si një tenxhere korrupsioni dhe hajdutërie. Ekonomia jonë është e fundit në rajon, me borxhin më të lartë publik në rajon, me papunësi dhe varfëri të shtuar sepse financat janë në shërbim oligarkëve dhe jo të qytetarëve.

Miliona euro për një grusht oligarkësh dhe gjysmë paketa me pikatore për njerëzit dhe ekonominë. Pa prekur milionat për PPP dhe koncesione e tendera. Ky fond nuk preket por mbrohet njësoj si hajduti plaçkën e vjedhur.

Përballë tyre janë shqiptarët. Familjet shqiptare kanë mbetur pa të ardhura për tre muaj me radhë. Lëmoshat me pikatore të qeverisë nuk i shërbejnë atyre.”, shkroi Tabaku në Facebook.

Sipas saj, në ditën kur shqiptarët kanë nevojë për mbështetjen e qeverisë, kur të ardhurat e buxhetit duhet t’u vendosen në dispozicion, ata që përfitojnë janë po 10 personat e përhershëm.

“Klubi i Oligarkëve, ortakë me qeverinë, që privatizojnë kufij, bregdet, porte, rrugë, aeroporte, miniera, naftë e çdo pasuri kombëtare dhe që në 7 vjet kanë privatizuar buxhetin.

Kambanat e alarmit kanë rënë: Raporti i Bankës Botërore (BB) thekson se 61% e të punësuarve punojnë në të zezë. Këta kryefamiljarë nuk përfitojnë e nuk kanë më ç’të çojnë në shtëpi pasi qeveria nuk mendoi për ta. Jo! Nuk mendoi as për shumicën e të vetëpuësuarve, që sipas të njëjtit raport janë 35% e të punësuarve. Nga 173 mijë të vetëpunësuar qeveria ka vendosur të kryejë pagesa për 30 mijë të tillë.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re