Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka zhvilluar këtë të enjte një interpelancë me ministrin e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj lidhur me procesin e menaxhimit të fondeve për rindërtimin.

 

Tabaku kërkoi që qeveria të përcaktonte koston e rindërtimit duke e akuzuar për shpërdorim të donacioneve dhe parave publike në emër të këtij procesit.

 

“Na mungojnë të dhëna totale lidhur me kostot e këtij procesi. Sa është fondi që është shpenzuar? Sa është fatura e rindërtimin në total? Sa është vlera e fondeve të vendosura me VKM? Në 3 vite e gjysëm ne nuk kemi arritur të kuptojmë realisht sa është kjo vlerë, pasi ish-ministri I financave dhe ish-ministri I rindërtimit që ka thënë që është një proces dinamik që nis me 5 milionë euro dhe përfundon me 800 milionë euro, siç I kanë ndryshuar shifrat këtë ministri për shumë gjëra tjera në fakt”, tha ajo.

 

Nga Foltorja e Kuvendit, Tabaku akuzoi qeverinë se ka tejkaluar afatet për rindërtimin e banesave të ndërtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019. Në të njëjtën kohë, ajo thekson se mazhoranca po e përdor rindërtimin për fushatë njësoj si në zgjedhjet parlamentar, fakti i cili sipas saj është vënë në dukje dhe në raportet e ndërkombëtarëve.

 

“Pak muaj para zgjedhjeve sot shqiptarët po kalojnë ata që kaluan para zgjedhjeve të 2021-shit, mëshirën e qeverisë, që janë ngritur e rilindur e janë kujtuar që ka ndodhur një tërmet  para 4 viteve, ashtu sic raporti i OSBE-ODIHR vuri në dukje se çështjen e fatkeqësisë, jetëve të humbura dhe procesi i rindërtimit u përdor për interesa elektorale ndërkohë që transparenca për këtë proces dhe fondet e alokuara për të është shumë e lartë”, tha ajo.

 

Nga ana tjetër, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj iu përgjigj kërkesave të Tabakut me foto nga Thumana e rindërtuar duke mohuar akuzat nga deputetja e PD.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re