Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka kritikuar Autoritetin e Konkurrencës se nuk ka marrë masa për cenimin e konkurrencës në treg.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Tabaku u shpreh se autoriteti i konkurrencës nuk ka bërë asnjë hetim për tregun e karburanteve. Ajo theksoi se një tjetër sektor ku duhet hetim dhe monitorim është tregu i sigurimeve.

“Nuk ka çështje më të rëndësishme për ekonominë shqiptar se diskutimi i disa prej tregjeve që kanë lidhje të drejtpërdrejtë për çmimet. I pari është ai që lidhet me ushqimet e shportës, i dyti me tregun e karburanteve, i treti tregu i sigurimeve dhe së fundmi si qeveria shqiptare po zbaton marrëveshjen e Asociimit.

Cenimi i konkurrencës në të gjitha ligjet që qeveria ka kaluar duhet të kishte qenë objekt i veçantë i Autoritetit të Konkurrencës. Ka kufizuar garën si në aeroportin e Vlorës dhe në portin e Durrësit. Duhet patjetër që të hetohet. Sot ekonomia shqiptare dhe Shqipëria në përgjithësi është në një krizë të thellë. Shqipëria ndodhet qartësisht në pozita ku nuk ka konkurrencë. Tregu i karburanteve e ka shumëzuar me zero konkurrencë. Autoriteti i konkurrencës nuk bëri asnjë hetim.

Bordi i çmimeve për ushqimet ka favorizuar disa kompani dhe ka cenuar konkurrencë. Në prokurimet publike sot nuk ka garë. Është cenuar konkurrenca dhe është përqendruar gara publike në pak duar. Ku është Autoriteti i Konkurrencës për hetimin e kësaj situate? Kompanitë e sigurimit ndodhen në një situatë ku nuk ka më garë. Tregu i sigurimeve ka nevojë për një monitorim dhe hetim. Janë të paktën gjashtë tregje prioritare që përcaktojnë çmimet. Është e pamundur që një biznes i ri të hyjë në treg sepse ndarja e tregut është e përcaktuar. Si në asnjë vend të botës çmimi i karburanteve dhe ushqimeve në Shqipëri janë të përcaktuara nga bizneset. Këto shqetësime duhet të kishin qenë subjekt i punës së Autoritetit të Konkurrencës. Nuk kemi pasur një analizë që të na ndihmonte në dobi të interesit të qytetarëve”, deklaroi ajo.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re