Tajvani i kërkoi Kinës që të ndalë “veprimet e njëanshme shkatërruese” pasi më shumë se 100 avionë luftarakë kinezë dhe nëntë luftanije u detektuan në zonat përreth ishullit vetëqeverisës.

 

Pekini pretendon se Tajvani është pjesë e territorit të tij, të cilin, një ditë do ta rimarrë, duke mos përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës. Viteve të fundit, Kina ka rritur presionin diplomatik dhe ushtarak ndaj Tajvanit.

 

Më 18 shtator, Ministria tajvaneze e Mbrojtjes tha se numri i detektuar i avionëve luftarakë në 24 orët e fundit paraqet një rekord të regjistruar së fundi, ndërkaq Pekini ende nuk ka komentuar për këtë situatë.

 

“Në mes të mëngjesit të 17 dhe 18 shtatorit, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare ka detektuar në total 103 avionë luftarakë kinezë, shifër rekorde e kohëve të fundit. Këto fluturake paraqesin sfida të mëdha për sigurinë në mbarë Ngushticën e Tajvanit dhe në rajon”, u tha në deklaratë.

 

“Ngacmimi i vazhdueshëm ushtarak i Pekinit shumë lehtë mund të çojë në rritje të tensioneve dhe të përkeqësojë sigurinë rajonale”, tha ministria e cila i bëri thirrje Kinës që “menjëherë të ndalë veprime të tilla të njëanshme shkatërruese”.

 

Nga numri i përgjithshëm i avionëve luftarakë të detektuar, 40 prej tyre kanë kaluar vijën në Ngushticën e Tajvanit që ndan ishullin nga Kina, dhe kanë hyrë në pjesën jugperëndimore dhe juglindore të zonës identifikuese të mbrojtjes ajrore të Tajvanit, thanë autoritetet në Taipei.

“Gatishmëri e lartë”

 

Javën e kaluar, Taipei po ashtu raportoi për një sërë inkursionesh nga avionët luftarakë kinezë dhe anijet.

 

Këto zhvillime erdhën në kohën kur Pekini tha se ka vendosur trupat e tij “në gatishmëri të lartë”, pasi dy anije që i përkisnin Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë kaluan përmes Ngushticës së Tajvanit.

 

Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit tha se 68 avionë luftarakë kinezë dhe 10 anije të marinës kineze u detektuan përreth ishullit të mërkurën dhe të enjten e javës së kaluar.

 

Disa nga këta avionë dhe luftanije ishin nisur drejt një zone të paspecifikuar në Paqësorin Perëndimor “për të kryer stërvitje të përbashkëta detare dhe Ajrore” dhe në mesin e tyre ishte edhe avionmbajtësja kineze Shandong, tha ministria tajvaneze.

 

Shandong – një prej dy avionmbajtëseve operacionale të flotës kineze – u detektua javën e kaluar rreth 110 kilometra në juglindje të Tajvanit, teksa ishte nisur drejt Paqësorit Perëndimor, thanë autoritetet tajvaneze.

 

Javën e kaluar, Ministria japoneze e Mbrojtjes tha po ashtu se marina e saj kishte detektuar gjashtë anije – përfshirë fregata, anije shkatërruese, katër anije mbështetëse luftarake dhe Shandongun – duke lundruar rreth 650 kilometra në jug të ishullit Mijakojima, në lindje të Tajvanit.

 

Japonia konfirmoi se ka detektuar avionë dhe helikopterë duke u nisur dhe duke ateruar në Shadong, edhe pse Kina zyrtarisht nuk ka komentuar për ndonjë stërvitje që po kryen në Paqësor.

 

“Një Kinë”

 

Analistët thanë se Kina mund të jetë duke “treguar muskujt” që t’i kundërvihet ndikimit të Shteteve të Bashkuara në Azi-Paqësor, pasi Uashingtoni ka udhëhequr disa stërvitje ushtarake me aleatët në mbarë rajonin.

 

“Politikisht, Kina t’i kundërvihet kontrollit ushtarak të aleatëve demokratikë që udhëhiqen nga SHBA-ja”, tha për AFP-në, Su Tzu-yun, analist në Institutin e Tajvanit për Kërkime të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare.

 

Pas vizitës së Nancy Pelosit – atëbotë kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve – gushtin e kaluar, Kina ka kryer stërvitjet më të mëdha ushtarake përreth Tajvanit.

 

Më pas në prill të këtij viti, Pekini kreu një stërvitje treditore ushtarake për të simuluar rrethimin e ishullit, pasi presidentja tajvaneze, Tsai Ing-wen, u takua në Kaliforni me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy.

 

Përderisa Pekini ende nuk ka lëshuar asnjë deklaratë për ngjarjet e fundit, tabloidi shtetëror kinez, Global Times publikoi një koment në platformën sociale, Weibo.

 

“Tajvani dhe Kina bëjnë pjesë në të njëjtën Kinë dhe Tajvani është pjesë e shenjtë dhe e patjetërsueshme e Kinës”, u tha në postim, duke ripërsëritur politikën e Pekinit.

 

“Aktivitetet trajnuese të Ushtrisë Popullore Çlirimtare janë veprime të nevojshme për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial”, shtoi Global Times, duke iu referuar ushtrisë së Kinës.

Kina dhe Tajvani janë ndarë gjatë luftës civile të vitit 1940, por Pekini insiston se ky ishull do t’i kthehet dikur nën kontroll.

 

Tajvani ka kushtetutën e vet, liderë të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe rreth 300.000 trupa aktive ushtarake. Megjithatë, pavarësia e këtij ishulli vetëqeverisës njihet nga pak shtete. SHBA-ja nuk ka lidhje zyrtare me Tajvanin, por Uashingtoni ka një ligj që parasheh dërgimin e mjeteve që i duhen ishullit për të mbrojtur veten./REL/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re