Kina do të “luftojë deri në fund” për të parandaluar shpalljen e pavarësisë së Tajvanit, tha ministri kinez i Mbrojtjes Wei Fenghe në një kohë të tensioneve në rritje midis Pekinit dhe Uashingtonit për të ardhmen e ishullit autonom.

“Ne do të luftojmë me çdo kusht dhe deri në fund. Kjo është e vetmja zgjedhje e mundshme për Kinën”, tha Fenghe në një forum sigurie në Singapor.

“Ata që vazhdojnë të mbrojnë pavarësinë e Tajvanit me synimin për të ndarë Kinën, sigurisht që nuk do ta arrijnë qëllimin. Askush nuk duhet të nënvlerësojë kurrë vendosmërinë dhe kapacitetin e forcave të armatosura kineze për të ruajtur integritetin e tyre territorial,” tha ai.

Ministri kinez tha një ditë pas deklaratës së Sekretarit amerikan të Mbrojtjes Lloyd Austin se aktivitetet ushtarake të Pekinit pranë Tajvanit ishin “provokuese dhe destabilizuese”.

Kina beson se ishulli autonom, i cili ka një popullsi prej 24 milionë banorësh, është një nga provincat e saj historike, megjithëse nuk e kontrollon atë, dhe ka rritur presionin mbi Taipein në vitet e fundit duke kryer, ndër të tjera, inkursione në mbrojtjen ajrore të Tajvanit.

Veprime të tilla nga Kina kanë rritur tensionet me Shtetet e Bashkuara, të cilat vlerësohen të jenë shumë të larta për një sërë çështjesh të tjera.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re