Aksi rrugor Korçë–Ersekë, me gjatësi 35 kilometra dhe një kosto prej miliona euro nga buxheti i shtetit, ndodhet përballë problemeve serioze strukturore, ndonëse është inauguruar prej kohësh.
Gazetarja Anxhela Gjiriti nga emisioni investigativ “Tak Fak” raportoi drejtpërdrejt nga terreni, në vendin e quajtur Qafa e Qarrit, ku një pjesë e këtij aksi ka pësuar shembje. Institucionet përkatëse ndërhynë për riparimin e dëmeve, por sipas raportimit, punimet janë kryer me cilësi të dobët.
Në të dyja anët e trasesë mbajtëse janë të dukshme plasaritje që me kalimin e kohës po shndërrohen në çarje të rrezikshme.
Gjiriti thekson se çarjet janë mbuluar me një shtresë bituminoze, e cila nuk zgjidh problemin, por vetëm tenton ta fshehë atë nga sytë e publikut.
“Do të doja ta lija ashtu siç është, të jetë e hapur që dikush nga ARRSH apo Bashkia e Kolonjës ta shohë. Shoferët që kalojnë çdo ditë këtu janë në rrezik,” tha gazetarja.
Pavarësisht dëmtimeve serioze, aksi vazhdon të jetë i hapur për qarkullimin e automjeteve, duke shtuar shqetësimin për sigurinë e përdoruesve të saj.
Në lotin e parë të rrugës, është vënë re një çarje e thellë në strukturën mbajtëse, e cila shërben për të përforcuar masivin e dheut që ndodhet mbi rrugë. Kjo strukturë është thelbësore për të parandaluar shembjet dhe rrëshqitjet e tokës.
Gazetarja kujtoi incidentin e ndodhur një vit më parë, ku një masiv dheu u shkëput dhe ra në rrugë, duke rrezikuar jetën e udhëtarëve.
Ajo apeloi për ndërhyrje urgjente nga institucionet për të shmangur përsëritjen e situatave të tilla.
“Punimet në këtë lot kanë përfunduar prej kohësh. Uroj që institucionet të marrin masa sa më parë për të parandaluar incidentet.”, shprehet gazetarja e “Tak Fak”, Anxhela Gjiriti.