25 shkurt Tatimfitimi zero dhe TVSH zero është një mbështetje e fortë për biznesin e vogël, si në asnjë vend të rajonit.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga kryetari i bashkisë Berat, Ervin Demo zhvilloi mesditën e sotme takime me disa biznese të qytetit të Beratit, ku në mënyrë të veçantë u ndal në lehtësitë e politikës fiskale që ka ndërmarrë qeveria, si asnjëherë më parë në mbështetje të sipërmarrjes.

“Taksa zero dhe TVSH zero, tani të gjitha lekët shkojnë në familje dhe në zhvillimin e biznesit. Plani ynë është që Partia Socialiste deri në 2029 të mbajë këtë sistem fiskal” -tha Rama.

Gjatë bashkëbisedimit me kryeministrin, një përfaqësues i biznesit u shpreh i kënaqur për të gjitha lehetësitë e ndërmarra dhe siç tha ai “kjo lehtësi na erdhi në një kohë që i duhej biznesit, sidomos për vështirësitë që po kalojmë në këtë periudhe te pandemisë”.

Në një sipërmmarrje të prodhimit të embëlsirave, Rama u interesua për ecurinë e shitjeve.

“Përgjithësisht ecuria është e mira tha biznesmeni, ndërsa theksoi se në kushtet e pandemisë po zbaton masat e kujdesit antikovid.

“Po  mbahemi”, tha ai, ndërsa kryeministri vuri në dukje se “do të mbahemi me çdo kusht dhe ne do t’ju ndihmojmë”.

“Ju kemi hequr TVSH-në, dhe tatimfitimin. Të gjitha paratë në familje dhe të mbahemi bashkërisht dhe po vijojmë procesin e vaksinimit që të lehtësojmë situatën”, tha Rama.

Në një pikë shitjeje të elektroshtëpiakeve, sipërmarrësi u shpreh i kënaqur nga masat lehtësuese fiskale të qeverisë, ndërsa theksoi se “masat erdhën në kohën e duhur”.

“Sfida jonë është që të rrisim tempin e vaksinimit brenda gjysmës së muajit mars që të gjithë mjekët dhe infermierët të jenë të vaksinuar por ndërkohë duhet të fillojmë vaksinimin intensiv për të gjitha moshat pak më të thyera dhe njëkohësisht për mësuesit dhe punonjësit e policisë në mënyrë që sezoni turistik të ketë një lehtësim për një pjesë të madhe në mënyrë që të marrim frymë lirisht. Kjo është sfida” – tha Rama

“Tregtia nuk është gjë e lehtë po kjo tregtia e vaksinave qenka një tmerr. Kështu që po bëjmë çmos”- u shpreh Rama.

“70% e prodhimit të vaksinave i zotërojnë 10 shtete dhe mendo se çfarë bëhet. Megjithatë, ne nuk dorëzohemi. Kur je i gjatë e ke të vështirë të pranosh që mund të rrish në radhë e të dorëzohesh, pavarësisht se ky është një vend i vogël dhe vendet e tjera janë shumë të mëdha dhe të fuqishme, po në këtë rast gjatësia ndihmon”- tha Rama.

Gjatë bashkëbisedimit me kryeministrin, sipërmarrësi shprehu falenderime për kryetarin e bashkisë Berat, Ervin Demo.

“Ervin Demon ia morëm Partisë Demokratike. PD-ja i la rrugëve disa asete dhe ne i kemi marrë dhe nuk janë asete të pavënshme në punë. Te ky kemi gjetur aset në zhvillim ndaj e morëm dhe po zhvillohet brenda PS-së” – theksoi Rama.

Teksa u ndal në një biznes i prodhimit të bukës, kryeministri u interesua për ecurinë dhe punën aty.

“Ju jeni furrë me histori”- tha kryeministri, ndërsa biznesmeni shpjegoi se, “në krahasim me ç’kemi qenë nuk jemi, po prapë, kemi përfituar nga paketa ekonomike për pagën e punonjësve”.

“Heqja e TVSH-së ishte një gjë e domosdoshme për momentin, pasi në biznesin tim rrezikoja largimin e 4 punonjësve sepse nuk e mbuloja dot pagesën. Heqja e TVSH-së na lehtësoi dhe na dha mundësinë për t’i mbajtur përsëri në punë ”- tha sipërmarrësi. /j.p/

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re