Siguria kombëtare dhe rëndësia e bashkëpunimit të fortë SHBA-Shqipëri ishin në fokus të dy takimeve që kryediplomatja amerikane në Tiranë zhvilloi këtë të enjte.

Ambasadorja Yuri Kim takoi fillimisht drejtuesen e shërbimit informativ shtetëror, Vlora Hysenin, ndërsa mori pjesë edhe në takimin pritës të presidentit Begaj me shefin e Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-së.

Në njoftimin e selisë amerikane në kryeqytet, qëllimi i takimit të ambasadores Yuri Kim me Vlora Hysenin ishte për t’i uruar suksese në rol e rëndësishëm të drejtimit të Shërbimit Informativ Shtetëror.

Të dyja ranë dakord për rëndësinë e bashkëpunimit të fortë SHBA-Shqipëri për sigurinë kombëtare dhe inteligjencën. Ambasadorja Kim shprehu gjithashtu mbështetjen për përpjekjet e reja për të siguruar që Shqipëria të jetë në gjendje të përballojë sfidat në mënyrë efektive.

Pak orë më vonë, Presidenti i Republikës  Bajram Begaj priti në takim shefin e Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-së, Gjeneralin Daniel Hokanson, i cili ishte i shoqëruar edhe nga Ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim.

Gjatë takimit Presidenti vlerësoi bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, të cilët prej dekadash kanë ndihmuar në modernizimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Presidenti Begaj diskutoi së bashku me gjeneralin Hokanson edhe mbi bashkëpunimin e mëtejshëm në fushën e mbrojtjes, si dhe sigurisë kibernetike.

Edhe zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës ishin pjesë e diskutimit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re