Ngërçi i krijuar në marrëveshjen e grurit, sipas presidentit rus është për faj të Perëndimit. Putin deklaroi pas takimit me homologun turk, Rexhep Tajip Erdogan, se edhe pas tërheqjes së Rusisë nga marrëveshja, nuk ka pasur mungesë ushqimesh në tregun global.

 

“Natyrisht, përfundimi i marrëveshjes nuk ndikoi në tregjet globale të prodhimit dhe unë do të doja ta theksoja këtë në veçanti. Pavarësisht se çfarë thonë ata për këtë, çmimet e drithërave vazhdojnë të bien, nuk ka mungesë fizike të ushqimit. Ka probleme me shpërndarjen e drejtë të tij, po. Por kjo nuk ka të bëjë me të ashtuquajturën marrëveshje të grurit”, shtoi Putin.

 

Putin shprehet se Perëndimi “fshihet” pas qëllimeve humanitare për të fajësuar Rusinë.

 

 “Perëndimi, për ta thënë butë, na mashtroi për qëllimet humanitare me iniciativën humanitare të Detit të Zi për të ndihmuar vendet në zhvillim”, tha Putin. “Siç e kam thënë më parë, ne thjesht u detyruam të merrnim këtë vendim,” tha Putin, duke iu referuar tërheqjes nga rinovimi i marrëveshjes.

 

Presidenti rus e përshkroi takimin me Erdoganin si të mbajtur në një atmosferë konstruktive dhe të ngjashme me biznesin.

 

Nga ana tjetër, Putin bëri me dije se i tha Erdoganit që Rusia do të jetë e gatshme të shqyrtojë rinovimin e marrëveshjes së grurit, por me kushtin që Perëndimi të zbatojë plotësisht të gjitha marrëveshjet për heqjen e kufizimeve në eksportin e produkteve bujqësore ruse.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re