SPAK ka reaguar në lidhje me takimin e Arben Krajës me deputeten Jorida Tabaku, takim i cili shkaktoi debate në Komisionin Hetimor për Inceneratorët.

SPAK shprehet se takimi është bërë me kërkesë të Tabakut duke theksuar se prokurorët janë të pavarur në veprimtarinë e tyre hetimore, në vendimarrjen e tyre dhe do të analizojnë me ligjshmëri, objektivitet dhe paanësi çdo pretendim, indicje apo provë që paraqitet nga të gjithë palet që kanë dijeni rreth procesit për të cilin po hetohet.

“Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme zhvilloi një takim me zonjën Jorida Tabaku, deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Kryetare e Komisionit Hetimor të ngritur nga Kuvendi për inceneratoret. Takim u zhvillua me kërkesë të zonjës Tabaku.

Prokuroria e Posaçme është e vendosur që të administrojë çdo fakt dhe çdo indicie që lidhet me hetimin e procedimeve penale të regjistruara për çështjen e inceneratoreve, ngado që të vijnë, aq më shumë nga Komisioni Hetimor i ngritur nga Kuvendi.

Nga ana tjetër, sigurojmë opinionin publik se prokurorët janë të pavarur në veprimtarinë e tyre hetimore, në vendimmarrjen e tyre dhe do të analizojnë me ligjshmëri, objektivitet dhe paanësi çdo pretendim, indicie apo provë që paraqitet nga të gjithë palet që kanë dijeni rreth procesit për të cilin po hetohet”, thuhet në reagimin e SPAK.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re