Deputeti demokrat Ervin Salianji zhvilloi sot takimin e tij të parë politik pas lirimit nga burgu, duke zgjedhur Kavajën si vend simbolik për këtë rikthim.
Salianji mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të Josif Budos, të cilin e cilësoi si “heroin e parë të demokracisë” dhe simbol të Shqipërisë që lufton për liri dhe drejtësi.
Në një postim në rrjetet sociale, ai theksoi rëndësinë historike të Kavajës për qëndresën dhe dinjitetin demokratik.
Ai e përshkroi takimin si një moment të fortë dhe emocional, ku pati mundësinë të takonte qytetarë, demokratë dhe miq të tij nga Kavaja.
Postimi i Salianjit:
Kavaja është një qytet me peshë të veçantë , jo vetëm për historinë e saj të qëndresës dhe dinjitetit demokratik, por edhe sepse është një qytet që nuk ka pranuar kurrë të nënshtrohet.
Sot nderuam Josif Budon, heroin e parë të demokracisë, një simbol i Shqipërisë që luftoi për liri dhe drejtësi. Ishte takimi im i parë politik pas lirimit dhe një moment i fortë, emocional dhe domethënës. U takova me miq, demokratë dhe qytetarët e Kavajës!



