Koreja e Jugut thotë se nuk ka marrë ende asnjë përgjigje nga Pheniani për një takim mes liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un dhe Presidentit amerikan Donald Trump, shkruan BBC.

Fillimisht ishte ky i fundit që pranoi ftesën e Koresë së Veriut për të drejtuar bisedimet, ku Koreja e Jugut bëri ndërmjetësuesin. Seuli zyrtar tha se Kim ishte i gatshëm të heqë dorë nga armët e tij bërthamore dhe kjo entuziasmoi Uashingtonin.

Por detajet mbi bisedimet e planifikuara mbeten të paqarta, pa asnjë marrëveshje mbi vendndodhjen apo rendin e ditës, vijon BBC.

Analistët janë skeptikë rreth asaj se çfarë mund të arrihet përmes bisedimeve duke pasur parasysh kompleksitetin e çështjeve të përfshira.

“Ne nuk kemi marrë një përgjigje zyrtare nga regjimi i Koresë së Veriut në lidhje me takimin e mundshëm”, tha të hënën një zëdhënës për Ministrinë e Bashkimit të Koresë së Jugut, duke shtuar më pas: “ndjej se po i afrohen kësaj çështje me kujdes dhe ata kanë nevojë për kohë për të organizuar qëndrimin e tyre.”

Po në lidhje me takimin, zyrtarët e Koresë së Jugut po udhëtojnë drejt Kinës e cila shihet si mbështetësi i fundit i regjimit të Koresë së Veriut. E më pas do të udhëtojnë drejt Japonisë, të cilat si SHBA-të janë kërcënuar vazhdimisht nga Pheniani.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re