Të hënën Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç do të takohen në Bruksel me ndërmjetësimin e shefit të diplomacisë europiane Borell.
Analisti Arbër Vllahiu në një intervistë për Vizion Plus me Pranvera Borakajn tha se takimi i të hënës është më i rëndësishmi, ku liderët e Kosovës dhe Serbisë duhet të pranojnë marrëveshjen dhe të nisin zbatimin e saj.
“Parimi themelor i BE është se ka një marrëveshnjë në tavolinë ose mere ose lërë. Ai që e lë do përballet me pasojat, ai që e merr do vijojë përpara. Takimi i të hënës është një prej takimeve më të rëndësishme, në të cilën edhe Kurti edhe Vuçiç do duhet që zyrtarisht ta mbështesin planin, për të filluar zbatimin e marrëveshjes”, tha Vllahiu.
Analisti shtoi më tej se e gjithë marrëveshja është e mbyllur dhe Kurti e Vuçiç duhet ta pranojnë ashtu siç është, pa i ndryshuar asnjë gjë.
“E gjithë marrëveshja që është në tavolinë do pranohet si e tillë, pa ju hequr asnjë gjë. Është e mbyllur si marrëveshje dhe do flitet për zbatimin e saj. Kjo marrëveshje ka një aneksa, se kur duhet të fillojë zbatimi e kur duhet të mbarojë. Të hënë të dyja palët duhet të kthehen nga parimi në zotim”, tha Vllahiu.
Analisti foli edhe për asosacionin, për të cilin tha:
“Atë që Kurti ka provuar të bëjë në Kuvendin e Kosovës është të shes propozimin e tij që ta ëojë si një plan të ri. A do themelohet asosacioni me emrin që është apo me të kaluarën? Kushtetuta e Kosovës nuk mund të shkelet. Duhet parë si do sillet Serbia për asosacionin, do e pranojë si është apo do kërkojë diëka më shumë. Me marrëveshjen e të hënës të dyja palët zotohen se do zbatojnë marrëveshjen dhe asosacionin”.
Ndërkohë, vetëm dy ditë përpara takimit në Bruksel, Kurti bisedoi me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ku ky i fundit i bëri thirrje të dyja palëve të zbatojnë marrëveshjet e arritura në dialog.
Më herët, i dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak, deklaroi se në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, pret që palët të pajtohen për afatet e zbatimit të propozimit evropian.