Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pritet të nënshkruajnë më 3 maj në Bruksel deklaratën për personat e zhdukur gjatë luftës. Në takimin e radhës ndërmjet tyre do të diskutohet edhe për mekanizmin për vetëmenaxhim të komunitetit serb në Kosovë.

 

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetare e komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, tregoi detaje mbi takimin.

 

ARBËRESHË KRYEZIU-HYSENI

 

DEPUTETE E VV

 

“Kemi bërë përpjekje maksimale që edhe në kuadër të dialogimit të flasim për një mekanizëm të ri, ndryshe prej Asociacionit dhe jo të kthehet diskutimi tek marrëveshjet e së kaluarës që në bazë e kanë pasur Asociacionin njëetnik. Ne takim do të nënshkruhet marrëveshja që tashmë është dakorduar në takimin e kryenegociatorëve për personat e pagjetur”

 

Por, nga ana tjetër, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, këmbëngul se në takimin e nivelit të lartë, nuk duhet të jete fokusi vetëm te Asociacioni.

 

BESNIK TAHIRI

 

SHEFI I GRUPIT PARLAMENTAR TË AAK-SË

 

“Marrëveshja Kosovë-Serbi nuk duhet të reduktohet vetëm në Asociacion, pasi ai do të jetë rreziku më i madh. Marrëveshja e Ohrit duhet të shkojë më së pari në trajtimin e marrëveshjes bazë të parimeve, e cila i ka disa elemente të ecjes përpara të Kosovës në raportin ndërkombëtar. Nuk guxon të reduktohet vetëm në Asociacion. Zbatimi duhet të ndodh por është një lloj procedure, ne nuk dina asgjë për këtë procedurë.”

 

Takimi i 3 majit është i pari ndërmjet Kurtit dhe Vuçiç, që nga marrëveshja e 18 marsit në Ohër .

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re