Delegacioni shqiptar i kryesuar nga kryeministri Edi Rama ka vazhduar takimet me zyrtarët e lartë turq në ditën e dytë të vizitës në Ankara, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka zhvilluar një takim pune me ministrin e Shëndetësisë së Turqisë, Fahrettin Koca, duke biseduar për modelin e ri të menaxhimit spitalor dhe bashkëpunim në shërbimin farmaceutik.

“Diskutuam për ecurinë e Spitalit Memorial në Fier, bashkëpunimin mes stafeve të përbashkëta dhe forcimin e shërbimeve klinike spitalore, si një bërthamë e transferimit të dijes dhe teknologjisë, e cila do të zhvillohet sipas një plani veprimi afatmesëm, për të siguruar më shumë shërbime cilësore qytetarëve. Një model i ri menaxhimi që duam ta transferojmë edhe në spitalet e tjera të vendit”, ka shkruar ministrja Manastirliu në rrjetet sociale.

Sipas saj, janë vendosur afatet konkrete për planin e bashkëpunimit në sektorin farmaceutik mes dy Agjencive të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, “në funksion të rritjes së standardeve dhe sigurisë së shërbimit farmaceutik”. (AA)