Deputetët e Partisë Socialiste kanë kallëzuar penalisht në SPAK Jorida Tabakun pas takimit të kryetares së Komisionit Hetimor për Inceneratorët me kreun e Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja.

Deputetja Ermonela Felaj tha se takimi i Tabakut është në kundërshtim me ligjin.

“Ndërhyrja juaj sot kompromenton ligjin dhe punën. Prokurorët janë të pavarur në ushtrimin e detyrës së tyre. Takimi është kryer me dashje”, tha Felaj.

Deputetët e mazhorancës e akuzojnë Tabakun për ushtrim të ndikimit të paligjshëm dhe shpërdorim detyre. Ndërkohë pas kësaj mbledhja është shoqëruar me debate mes Jorida Tabakut dhe Ermonela Felajt.

“Ka ardhur sot dhe na bën moral për diskutimin e ligjit. Keni qenë pjesë vendimmarrëse e strukturave për dhënien e koncensionit dhe nuk duhet të ishit në këtë komision.

Zonja Felaj është shembulli më i mirë i pengimit të këtij hetimi. Kur mori fjalën unë kujtova se do tërhiqej sepse ka konflikt interesi.  Edhe ky kallëzim i radhës ashtu siç kanë bërë të gjithë të tjerët edhe Felaj po bën këtë. Që të gjithë i kuptoni detyrat politike që kanë secili”, u përgjigj Tabaku.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re