Takimi i zhvilluar mbasditen e sotme mes Zaida Çobos, nënës së 15-vjeçarit të dhunuar nga policia dhe drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka sjellë paqe midis tyre.

Veliu publikoi një video ku Çobo shfaqej me pistoletë në dorë, video më pas rezultoi të ishte filmuar me pistoletë lodër gjatë xhirimeve të një filmi.

Drejtori i Policisë së Shtetit mori kritika të mëdha, për shkak të dhunës që punonjës të policisë ushtruan ndaj të birit 15 vjeçar të Çobos në Liqenin Artificial.

“Doja të jepja një shembull qytetarie. Pranova ndjesën e Drejtorit të Policisë, pas takimit me të. Tani ndihem e qetë dhe m’u duk e pakuptimtë të vijoja procedurat ligjore.

Kam hequr dorë vetëm ndaj padisë për fyerjen që m’u bë. Ndërsa për çështjen e dhunës ndaj djalit do e vijoj deri në fund”, tha nëna e adoleshentit të dhunuar.

Policia e shtetit njoftoi sot se Veliu u takua me Çobon për t’i kërkuar personalisht ndjesë.

“Sot u takuam me zonjën Zaida Çobo, e cila me të drejtë u ndje e lënduar nga komenti im që mori edhe shumë kritika publike. Dëshiroja që ndjesën time publike t’ia bëja zonjës personalisht dhe më vjen mirë për mirëkuptimin e saj,” u shpreh kryepolici Ardi Veliu.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re