Pas ftesës së Presidentit Ilir Meta, pak minuta më parë kanë mbërritur përfaqësuesit e parë të opozitës në Presidencë. Të parët që janë parë në zyrën e Metës kanë qenë kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi dhe ish-deputetja Mesila Doda.

Po ashtu ka shkuar Dashamir Shehi, Vangjel Dule, Fatmir Mediu dhe nga LSI ka shkuar Petrit Vasili dhe jo kryetarja Monika Kryemadhi. Ndërkohë pak minuta pas aleatëve ka shkuar dhe Lulzim Basha, i cili ka qenë i fundit që ka shkuar në Presidencë.

Ftesa u bë nga presidenti ditën e shtunë, ndërkohë që Basha dhe aleatët e pranuan menjëherë duke u treguar gati për t’u paraqitur në Presidencë. Mbrëmjen e djeshme Basha ka zhvilluar një takim me aleatët për qëndrimin që do të mbajnë përpara Presidentit për zgjidhjen e krizës.

Një nga temat më të nxehta të momentit është ngërçi me Gjykatën Kushtetuese. Pak ditë më parë Presidenti Ilir Meta deklaroi se do të padisë në Prokurori, kreun e KED Ardian Dvoranin për ngërçin në Kushtetuese.

Meta tha se Dvorani ka konsumuar dy vepra penale, shpërdorimin e detyrës dhe përvetësimin e titujve shtetëror.

Kreu i Shtetit i cilësoi si mafioze veprimet e kreut të KED dhe të bëra qëllimisht që Presidenti të shkelte Kushtetutën. Meta iu përgjigj dhe akuzave të Ramës duke e quajtur të çmendur.

Dje presidenti shpalli non-grata në Presidencë, ambasadorin e OSBE-së. Presidenti ka paralajmëruar se do të publikojë edhe video që do të kenë sipas tij fakte tronditëse.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re