Ditë më parë, kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti do të shprehej se ka refuzuar një vizitë në Washington, ku pjesëmarrës do të ishte edhe presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksander Vuçiç pasi aty ka patur një marrëveshje mes palëve në dëm të Kosovës.

Por në intervistën e tij për Syri TV, presidenti Hashim Thaçi e mohoi një gjë të tillë.

“Takimi me presidentin e Serbisë në Shtëpinë e Bardhë ka qenë takim zyrtar. Ka qenë takim institucional dhe ka qenë transparent ku është diskutuar për vazhdimin e dialogut nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara. Nuk e di nëse z.Kurti ka qenë i ftuar në Shtëpinë e Bardhë.

Unë nuk jam prej atyre që refuzojnë takimet në SHBA. Do të ishte një goditje për shtetin e Kosovës. Nuk ndjehem inferior. Mund të takohem me këdo, kudo. Tash e 20 vite kemi fituar përballë Serbisë, qoftë edhe në Rambuje. Unë nuk di nëse z.Kurti ka qenë i ftuar sidomos pas sulmit që i bëri SHBA”, tha Thaçi.

Presidenti i Kosovës foli edhe mbi premtimet e presidentit rus Vladimir Putin në një takim ku merrnin pjesë edhe presidenti i SHBA Donald Trump dhe kancelarja gjermane Angela Merkel.

“Nuk marr vendime në emër të Rusisë. Nuk ka diskutuar për pavarësi por ka deklaruar se do të respektojmë marrëveshjen Kosovë-Serbi. Unë nuk mund të ndryshoj qëndrimin e Rusisë”, deklaroi Hashim Thaçi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re