Takimi në Elbasan i organizuar nga Suel Çela? Berisha paralajmëron Salianjin: Kushdo që tejkalon vijën e kuqe…

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, gjatë konferencës së sotme për shtyp, ka hedhur akuza të forta ndaj anëtarit të Kryesisë, Ervin Salianji.

Ai deklaroi se takimi i djeshëm i Salianjit në Elbasan, është organizuar nga një prej elementëve më të njohur të botës së krimit, Suel Çela.

“Në të gjithë karrierën time dhe në ditët më të vështira, kurrë nuk kam bërë dhe nuk bëj kompromis me krimin. Nëse e ndjek këtë betejë, pavarësisht çmimit që ka pasur, kam bindjen se ka qenë dhe është veprimi më i drejtë. Vija e kuqe e Berishës ndan qartë bashkëpunimin me krimin. Që një anëtar i kuoptuar i Kryesisë dhe i Këshillit Kombëtar të organizojë, së bashku me Suel Çelën, kriminelin më të rrezikshëm, një takim të tillë, është absolutisht e papranueshme dhe kurrë nuk mund të kalojë.

Në këtë kontekst, ai që ndërmerr një veprim të tillë ka tejkaluar vijën e kuqe dhe është plotësisht përgjegjës për veprimet e tij. Për sa i përket takimit të Salianjit, kemi pasur disa informacione që pohojnë se Suel Çela ka qenë organizatori kryesor i takimit. Përshëndes të gjithë drejtuesit e PD-së të Elbasanit që bojkotuan takimin e tij”, tha Berisha.

Sot orën 17:00 do të mblidhet Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, e para pas humbjes në zgjedhjet e 11 majit dhe ku priten debate të zjarrta.

LEXO EDHE: “Të pastrojmë shtëpinë tonë”/ 16 anëtarë të Këshillit Kombëtar propozim për ndryshime në rregulloren e PD: Soros-istët, përfituesit e PPP-ve dhe…