Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho vijon takimet në Shtetet e Bashkuara.
Së fundmi, ajo është takuar me kongresmenin Robert Aderholt, ku u diskutua mbi forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë takimit, Xhixho theksoi shqetësimin e saj për ndikimin e karteleve të drogës dhe krimit të organizuar në Shqipëri, duke vënë në pah rëndësinë e përkushtimit të SHBA-së për ta vendosur luftën kundër tyre në krye të axhendës së sigurisë.
Ajo gjithashtu ngriti çështjen e përdorimit të drejtësisë nga qeveria si një mjet për të goditur kundërshtarët politikë.
Deputetja nënvizoi më tej se, Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për Bashkimin Europian, duhet të përqendrohet në reforma reale që forcojnë sigurinë, demokracinë dhe qeverisjen e mirë.
Postimi i plotë i Xhixhos:
Në Kongresin Amerikan, u takova me kongresmenin Robert Aderholt, me të cilin diskutuam mbi forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë bisedës, shpreha shqetësimin për ndikimin e karteleve të drogës dhe krimit të organizuar në Shqipëri, si edhe theksova rëndësinë që ka përkushtimi i SHBA-së për ta vendosur luftën kundër tyre në krye të axhendës së sigurisë. Po ashtu, ngrita shqetësimin për përdorimin e drejtësisë nga qeveria si mjet për të luftuar kundërshtarët politikë.
Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për Bashkimin Europian, duhet të fokusohet në reforma reale që forcojnë sigurinë, demokracinë dhe qeverisjen e mirë. Partneriteti strategjik me SHBA-në mbetet kyç dhe duhet të forcohet mbi bazën e prioriteteve të përbashkëta.




