Nga Dylber Balla

Fredi Beleri ishte njëri nga përfaqësuesit e minoritetit grek që takoi dje ministrin e Jashtëm të vendit fqinj Nikos Dendias gjatë vizitës që zhvilloi në Tiranë. Në një intervistë për Abcnews.al ai rrëfeu se çfarë i kërkoi minoriteti dhe cila ishte përgjigja e ministrit.

“U takuam me ministrin e Jashtëm grek. Ne i shprehëm shqetësimet tona për të drejtat e minoritetit, vetëdeklarimin, pronat dhe për shkollimin në gjuhën anëtare.

Na tha që ishte shumë i kënaqur nga takimet që kishte me zyrtarët shqiptarë, që marrëdhëniet do të kalojën një etapë të re dhe shpreson që edhe problemet tona të zgjidhen. Një problem tjetër i ngritëm ishte për Covid-in për t’u ofruar ndihmën shëndetësore që u duhet” tha ai.

Origjina e ministrit grek është nga Himara. Fredi Beleri tregoi se kjo ishte edhe pjesë e bisedës dje me Nikos Dendias, që u premtoi se herën tjetër do të vinte në Himarë.

“Na tha që programi tij ishte shumë i ngjeshur prandaj nuk erdhi këtë herë në Himarë, na tha do të ishte dëshira e tij të vinte herën tjetër. Sapo nisi detyrën i fala një foto të shkollës greke të Vunoit të vitit 1905, kishte pranuar vetë origjinën dhe më kishte falënderuar dhe kishte thënë “që më fali një fotografi që më mallëngjeu, që më kujtoi fshatin e gjyshërve të mi, që kam origjinën”. Edhe dje na tha, i tha kryeministrit edhe kryetarit të opozitës, që origjina ime është nga Himara”.

Në fund Fredi Beleri njoftoi se këtë vit për shkak të koronavirusit nuk do të ketë organizim për festën kombëtare greke “JO”-në dhe as përkujtim me ceremoni të Kostandin Kacifas, minoritari që u vra dy vite më parë, në 28 tetor nga RENEA.

“Ceremoni nuk di të ketë, sa jam në dijeni. Festa kombëtare e Greqisë nuk do të festohet për shkak të Covid-it, familja mund të bëjë ndonjë përvjetor, nuk e di, nuk ka dicka të organizuar” tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re