Teksa komisionet parlamentare janë në diskutim të ndryshimeve të ligjit për “Strehimin Social”, ndërtuesit, si i vetmi grup i interesit, apelojnë që të ulen në tryezë për dialog. Kompanitë preken nga ky ligj, pasi paguajnë 3% të sipërfaqes mbi 2000 m2, për llogari të shtresave në nevojë. Por ndërtuesit kanë kërkuar rishpërndarje të kësaj takse dhe mbi të gjitha, ata ngrenë pikëpyetje lidhur me destinacionin e fondeve që mblidhen nga kjo taksë.

 

“Ne nuk jemi kundër pagesës së taksës për shtresat në nevojë. Por pse duhet të paguajmë vetëm ne, kur para ligjit jemi të gjithë të barabartë. Mbi të gjitha, pronari i truallit që merr 40% të sipërfaqes nuk paguan, ndaj në totalin e saj kjo taksë nuk është më 3%, por 5%. Ajo që ne sugjerojmë është që të tatohet sipërfaqja për banim dhe jo ambientet e përbashkëta, garazhdet, apo dhe dyqanet. Mbi të gjitha, në ato raste kur kjo taksë konvertohet në vlerë monetare, ne nuk dimë se ku ka shkuar destinacioni i këtyre parave” – u shpreh Luigj Aleksi nga Shoqata e Ndërtuesve.

 

Agron Haxhimali, drejtor i institutit për bashkitë, në një lidhje skype për E-ZONE thotë se bashkitë nuk kanë transparencë mbi efektivitetin e kësaj takse.

 

“Në raportet vjetore që ne hartojmë për bashkitë është një ndër të dhënat që ne nuk e kemi, pasi bashkitë nuk raportojnë. Ne sot nuk dimë sa të pastrehë ka vendi dhe sa janë sistemuar nga pagesa e kësaj takse, pasi bashkitë në mungesë edhe të këshillave bashkiakë që nuk kanë patur anëtarë të opozitës, nuk japin llogari dhe nuk bëjnë transparencë të përdorimit të këtyre fondeve” – u shpreh Haxhimali në E-ZONE.

 

Me ndryshimet ligjore po sanksionohet me ligj që, në disa raste, sipërfaqja e banimit të konvertohet në vlerë monetare.

 

“Ne nuk po bëjmë ndryshime të qenësishme, por po shohim mundësinë që njësitë e banimit të konvertohen në vlerë monetare dhe të merren banesa në një zonë me kosto më të ulët. Kjo pasi, apartamentet që merr në dorëzim bashkia kanë kosto administrimi” – sqaroi Doris Andoni, Drejtore e Strehimit në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re