Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi është ndalur tek skema e Partneritetit Publik Privat për ndërtimin e shkollave të reja përmes taksë së infrastrukturës arsimore.

Ai thotë se kjo taksë është shpërdoruar dhe nga 17 shkolla të premtuara janë ndërtuar vetëm nëntë.

Ndërkohë në fjalën e tij për mediat thekson se para se të ndërmarrë një hap ligjor do të presë auditimin e KLSH.

Në deklaratën e tij, ai tregoi se ka marrë një përgjigje edhe nga Bashkia Tiranë për çështjen në fjalë, e cila shpjegon se çfarë ka ndodhur gjatë kësaj kohe me projektet.

Deklarata e plotë:

Bashkia e Tiranës ka pranuar zyrtarisht dështimin e skemës së Partneritetit Publik Privat (PPP) për ndërtimin e 17 shkollave të reja, nëpërmjet taksës së përkohshme të infrastrukturës arsimore.

E vendosur që në vitin 2015 nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, më qëllim shmangien e mbingarkesës dhe mësimit me dy turne, abonentët familjarë dhe bizneset në Tiranë, në faturat tatimore të ujit, kanë paguar në total rreth 50 milion euro për 7 vite, me qëllim ndërtimin e 17 shkollave të reja.

Por në përgjigje të kërkesës së Partisë së Lirisë për transparencë dhe llogaridhënie, Bashkia e Tiranës është detyruar të pranojë zyrtarisht se prej vitit 2015 ka ndërtuar me PPP vetëm 9 shkolla, ç’ka pohon atë që kemi denoncuar më herët se taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore nuk është administruar si duhet.

Në fund të vitit 2015, në Këshillin Bashkiak të Tiranës u miratua “taksa mbi infrastrukturën arsimore”, e cila u cilësua si e përkohshme, për vitet 2016-2022.

Çdo familje në Tiranë ka paguar 1,800 lekë në vit, ndërsa bizneset, institucionet, sektori i transportit, profesionet e lira dhe organizatat jo-fitimprurëse, kanë paguar taksimin progresiv deri në 37 mijë lekë në vit.

Miratimi i taksës përmes vendimit numër 59 të Këshillit Bashkiak Tiranë, më 30 dhjetor 2015, i hapi rrugën një skeme të “Partneritetit Publik Privat” (PPP), që ishte pjesë e vizionit politik të kryebashkiakut Erion Veliaj për përmirësimin e infrastrukturës arsimore.

Gati një vit më vonë, në nëntor 2016, u paraqit studimi i fizibilitetit me titull, “Përmirësimi i infrastrukturës arsimore në Bashkinë e Tiranës” dhe një vit më vonë Erion Veliaj konfirmoi edhe në praninë e Kryeministrit Edi Rama, se brenda mandatit të tij të parë 2015-2019, Tirana do të kishte 17 shkolla të reja

Në fakt ky premtim, siç do ja u faktojmë me zë edhe me figurë, është bërë vit pas viti nga Erion Veliaj, por është fakt se 17 shkollat e reja që do ndërtoheshin nëpërmjet skemës PPP dhe falë të ardhurave të mbledhura nga taksat e infrastrukturës arsimore, nuk u ndërtuan kurrë.

Në përgjigjen zyrtare që Bashkia e Tiranës ka dhënë për Partinë e Lirisë pranohet se:

“Në vitin 2017 Bashkia e Tiranës u angazhua së bashku me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në një projekt PPP për ndërtimin e 17 shkollave të reja.

Aktualisht janë realizuar dy Lote të projektit PPP, nga katër Lore që parashikonte studimi i fizibilitetit dhe janë në fazën e rishikimit të studimit të fizibilitetit dy lote të tjera.

Deri më sot ka përfunduar Loti Tirana 1 dhe janë marrë në dorëzim 5 shkolla dhe Loti Tirana 4 ku janë marrë në dorëzim 4 shkolla”, – citojmë nga shkresa zyrtare e Bashkisë së Tiranës që mban datën 25 tetor 2023.

Në 23 dhjetor 2022, Këshilli Bashkiak i Tiranës, i kontrolluar 100% nga “Rilindja”, në mungesë të plotë transparence dhe konsultimi publik miratoi zgjatjen edhe me 3 vite të tjera të taksës së përkohshme për infrastrukturën arsimore.

Ndërkohë asnjë sqarim publik pse pagesa e kësaj takse duhej shtyrë edhe për 3 vite të tjera, ndërkohë që për 7 vite Bashkia e Tiranës dështoi të ndërtojë me PPP 17 shkolla të reja.

Nisur nga fakti i shtrirjes në total të taksës për infrastrukturën arsimore për 10 vite, si dhe për shkak se në 7 vite të pagesës së saj nga qytetarët dhe bizneset Bashkia e Tiranës nuk i ndërtoi 17 shkollat e premtuara, do t’i drejtohem shumë shpejt zyrtarisht Kontrollit të Lartë të Shtetit me një kërkesë për auditim ndaj Bashkisë së Tiranës për mënyrën e menaxhimit të të ardhurave nga taksa për infrastrukturën arsimore, për të zbuluar arsyen se pse dështoi skema e PPP-ve dhe pse taksat e mbledhura nga qytetarët nuk shkuan në destinacionin e premtuar.

Do të presim me qetësi vendimin dhe auditimin e KLSH për të ndjekur më pas të gjitha hapat ligjorë, gjithmonë në respekt të mbrojtjes së interesit qytetar, në funksion të transparencës dhe llogaridhënies: Pse nga 17 shkollat e premtuara u ndërtuan vetëm 9? Ku përfunduan taksat e qytetarëve?

Tashmë është e faktuar se me Erion Veliaj në krye të Bashkisë së Tiranës, miliona euro taksa shpërdorohen dhe destinacioni i tyre final nuk janë shpërbimet dinjitoze ndaj qytetarëve.

Koha që drejtësia të veprojë, me paanësi dhe jo me regji!

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re