Mazhoranca po tërhiqet nga varianti i propozuar nga ministria e Financave për të rritur taksën e karbonit  për industrinë e hekurit, çimentos dhe prodhimit të ferro-kronit, për emetimet e karbonit në mjedis.

 

Këto industri përdorin qymyrin si lëndë djegëse. Komisioni i ekonomisë është drejt shtyrjes së kësaj takse në 2026, kohë kur edhe Bashkimi Europian do të ndjek të njëjtën linjë. Kreu i komisionit të ekonomisë Eduard Shalsi, argumenton se kjo masë për tregun tonë është e parakohshme.

 

“Ne po konstatojmë se masa duket e parakohshme, mund të penalizojë një sektor dhe nuk do ti shërbejë mirëfilli qëllimit që është propozuar. Ndaj jemi duke diskutuar me ministritë e linjës, duke mos hequr asnjë presje nga harmonizimi për çka bota po bën për luftën klimaterike, jemi në diskutimet e fundit do të gjejmë një mirëkuptim, ose do e shtyjmë në kohë, ose do të gjejmë një mekanizëm që të jetë një taksë mbi emetimet dhe jo taksë në burim për qymyrin”, tha Shalsi

 

Aktualisht janë të pakta kompanitë që preken nga kjo masë. Momentalisht kompanitë paguajnë 3 lekë për kg si taksë karboni. Ose 5 herë më pak se kufiri minimal në Europë.

 

Skenari është që kjo taksë të rritet vit pas viti deri në 2030, për të arritur në 15.3 lekë për kg.

 

“Duam që ti japim kohë një sektori që të fillojë dhe të investojë në ato burime alternative djegieje  që emetojnë më pak gaze në atmosferë”, sqaroi Shalsi

 

Kjo taksë pritet të shtyhet më tej edhe sepse nuk ka një sistemin monitorimi të emetimeve të karbonit nga industritë, që përdorin qymyrin si lëndë djegëse.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re