Drejtori i Institutit për Bashkitë e Shqipërisë, Agron Haxhimali, në një intervistë për Vizion Plus ka folur lidhur me nismën e qeverisë për taksimin e pasurive në bazë të vlerës së tregut.

 

Si e shikoni ju nismën e qeverisë për të rritur taksën e pasurisë?

 

“Taksimi mbi bazën e vlerës së pronës është taksimi më i drejtë dhe kështu duhet të behët”, thotë ai. “Ajo që mua më shqetëson është fakti që ne në vitin 2018 bëmë një reformë që qeveria aktuale e konsideroi shumë të suksesshme taksimin bazuar mbi çmimin minimal. Tashmë ajo që unë ngrejë si shqetësim është se pse ne bëjmë ligje që nuk zgjasin më shumë se 7, 5 apo 6 vite. Pse nuk i rezistoi kohës kjo”, thotë ai duke theksuar se ministrja e Financave duke të sqarojë se si do të ndikojë ky ligj në “xhepin” e qytetarëve dhe jo në buxhetin e pushtetit lokal.

 

Pushteti vendor dhe qytetarët përfitojnë nga ky ligj apo jo?

 

“Taksa e pasurisë, jo vetëm në Shqipëri po kudo në vendet e rajonit, Europës e botës, përbën një portofol shumë të mirë të të ardhurave për buxhetet lokale, fatkeqësi që nuk është mbledhur ashtu siç duhet, pasi ligji i 2018 është një ligj i mirë”, thekson ai. “Qytetarët duhet të përgatiten se do të paguajnë më shumë, normal është rritur vlera e banesave, vlera e pronave, tokës bujqësore dhe ne këto duhet t’i pranojmë”, shton ai.

 

Taksa e pronës do të paguhet kur qytetarët blejnë dhe shesin banesa apo çdo vit?

 

“Taksa e pronës i referohet cilido subjekti privat apo jo privat, vendas apo i huaj, cilido person që ka një objekt banimi, banesë, qoftë për banim, qoftë për arsye komerciale, ai duhet të paguajë taksën e pasurisë, që sot e kemi me çmimin minimal fiskal të përcaktuar nga qeveria në 66 bashki dhe me çmime të ndryshme sipas njësive dhe zonave kadastrale”, shpjegon ai.

 

Pse ka dështuar ligji i parë, çfarë duhet bërë ndryshe?

 

“Kjo është një pyetje 100 milionë dollarëshe, kjo është një pyetje që gazetarët duhet t’i bënin sot këshilltarëve dhe ministres. Për mendimin tim janë një sërë faktorësh, për mua i gjithë sistemi është i tillë dhe nuk është se do fajësojë një bashki, një ministri apo një kadastër. Janë të ndërthurrura, ka një mungesë, për mendimin tim, vëmendjeje në këtë drejtim. Çështja e popullimi të të dhënave, të banesave, qoftë për privatin edhe për bizneset e banimit mungon në fakt”, shton ai duke theksuar se ende nuk janë të regjistruara siç duhet në kadastër pasuritë e vendit.

 

Ai thekson se edhe pushteti lokal duhet të marrë përgjegjësi duke inspektuar në terren dhe evidentuar problematikat që duan zgjidhje.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re