Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar se së shpejti do të hiqet taksa 100% ndaj Serbisë.

Ai ka thënë se kjo do të realizohet porsa të elaborohet nga ministria e Zhvillimit Ekonomik, ndërkaq ka shtuar se taksa do të zëvendësohet me reciprocitet, shkruan Klan Kosova.

Kurti këto komente i bëri pas hapjes së ekspozitës “Kujtesa e Kosovës”, kushtuar veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

“Tarifa do të zëvendësohet me reciprocitet. Mos u ngutni sepse duhet fillimisht do ta bëjmë elaborimin e reciprocitetit dhe porsa ta kemi këtë se e ka marrë Ministria e Zhvillimi Ekonomik, e më pastaj do ta zëvendësojmë tarifën 100 për qind. Por ne nuk bëjmë gabime, shkojmë drejt dhe mirë”, u shpreh kryeministri.

Po ashtu, Kurti para mediave ka bërë të ditur se projekt-buxheti për vitin 2020 pritet që në muajin mars të shkojë në Kuvend.

“Në muajin mars besojmë se do ta kemi projektligjin për buxhetin për vitin 2020, i cili do të diskutohet në Kuvend. Nuk mendoj se jemi vonuar në këtë drejtim”, ka thënë Kurti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re