Mustafa Bajrami

Taksa; simboli i burrnisë shtetërore i Kosovës!

Shkruan: Dr. Mustafa Bajrami

Se deri ku mund të shkojë militantizmi partiak i verbër dhe i budallakaftë i shqiptarit, tregon më së miri qasja e disa shqiptarëve ndaj Taksës.

Dëgjoni ju që e shikoni Kosovën nëpërmes llupës tuaj partiake dhe të interesave tuaja personale: Taksa, menjëherë pas luftës frontale të UÇKsë, simbolizon qëndresën shqiptare më të fuqishme karshi Serbisë dhe, në të njëjtën kohë është goditja më e madhe që i dhanë shqiptarët Serbisë, në 100 vjetët e fundit.

E kam thënë edhe më parë; Shqiptarët asnjëherë s’kanë mund të ballafaqohen me Serbinë dhe ta mundin atë në këto përmasa sa arritën pikërisht nëpërmes Taksës.

Taksa e detyroi Serbinë ta ndjejë veten se është vetëm kaq e fuqishme para Kosovës dhe kundër shqiptarëve. Taksa është simbol i fitores dhe qëndresës shqiptare. Ajo është më shumë se sa vetëm një ndalesë ndaj Serbisë të na i merr gjysmë miliard euro në vit dhe të na luftojë me paratë tona.

Më shumë se Taksa, vetëm një ushtri e fuqishme e Kosovës mund të jetë ajo që e detyron Serbinë të mendojë dy herë para se të merr ndonjë hap apo vendim kundër shqiptarëve. E pikërisht kjo është ajo që unë e quaj burrni shtetërore e Kosovës.

Taksa, pra, duhet të mbrohet me çdo kusht, deri atëherë kur ajo të sjell frytet e nevojshme dhe të dëshiruara për ne shqiptarët.

Në të kundërtën, anulimi i taksës do të jetë i gabueshëm po aq sa sot është qëndrim muhalife dhe amaterizëm qesharak i disa pseudo-njohësve të ekonomisë dhe politikës teksa na dalin përpara dhe na flasin neveritshëm kundër Taksës…!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re