Për periudhën 2017-2024, buxheti i shteti ka paguar dhe pritet të paguajë me paratë e taksapaguesve rreth 86 miliardë lekë (810 milionë euro) për 12 kontrata koncesionare, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, të përpunuara nga Monitor (shiko tabelën: Pagesat faktike nga buxheti i shtetit për koncesionet 2017-2024).

Të ndara sipas sektorëve, pjesa më e madhe e kësaj shume, me rreth 31 miliardë lekë (290 milionë euro), ose 36% e totalit ka shkuar dhe pritet të shkojë për katër koncesionet e shëndetësisë (sterilizimi, check up, laboratori, dializa).

Rreth 28 miliardë lekë (206 milionë euro) është për projektet e infrastrukturës (Rruga e Arbrit, mirëmbajtja e Milot-Morinë, Orikum-Dukat, ndërtimi i shkollave në Tiranë).

Rreth 14 miliardë lekë (135 milionë euro), ose gati 17% e totalit janë të destinuara për inceneratorët e Fierit, Elbasanit e Tiranës.

Skanimi arrin për periudhën në fjalë 12.6 miliardë lekë (119 milionë euro), ose 14.6% e totalit. (shiko grafikun: Pagesat për koncesionet sipas sektorëve 2017-2024).

Sipas projekteve, më i madhi është ai i rrugës së Arbrit, me 19.3 miliardë lekë për periudhën 2017-2024. Projekti i dytë më i madh është sterilizimi, me rreth 13 miliardë lekë, i ndhekur nga skanimi me 12.6 miliardë lekë. Më pas renditet Inceneratori Tiranës (7.9 miliardë lekë); Laboratorët (6.4 miliardë lekë); Dializa (6 miliardë lekë); check up (5.8 miliardë lekë); Mirëmbajtja Milot-Morinë (4.7 miliardë lekë); Inceneratori Fier (4 miliardë lekë); Inceneratori Elbasanit (2.4 miliardë lekë); Orikum-Dukat (2.1 miliardë lekë); Infrastruktura arsimore (1.8 miliardë lekë). – shiko grafikun: Pagesat për koncesionet sipas projekteve.

Pavarësisht kundërshtimeve nga institucionet financiare ndërkombëtare, të cilat kërkonin që të bëhej një analizë e qartë e kostove dhe përfitimeve, edhe sot mungon një analizë e qartë e kostove dhe përfitimeve të këtyre projekteve, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre janë tashmë nën hetim nga SPAP.

Gati gjysma e shumës së dhënë për koncesionet është nën hetim

Nga këto 12 koncesione, për pesë prej tyre- tre inceneratorët, checkup dhe sterilizimi- është hapur hetim zyrtar nga SPAK me akuza nga korrupsion, shpërdorim detyre e deri te pastrim parash, ndërsa ka nisur hetimi dhe për koncesionin e laboratorëve. Shuma totale e dhënë dhe që pritet të jepet nga buxheti për këto gjashtë koncesione për periudhën 2017-2024 është rreth 40 miliardë lekë (rreth 380 milionë euro), që përbën 46% të pagesave totale që janë bërë nga buxheti për të gjitha koncesionet!!

Në projektbuxhetin e vitit 2024 parashikohet që pagesat për koncesionet të arrijnë 14.3 miliardë lekë, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë dhe me rritje prej 9.3% në krahasim me pritshmërinë e 2023-it (shiko grafikun: Pagesa nga buxheti për koncesionet në vite)

Pagesat dhe hetimet

Në 2021-2022 u hapën hetimet për inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit. Sipas SPAK, nga hetimi janë gjetur shkelje të shumta, që fillojnë me procedurat për dhënien e koncesionet e më pas me falsifikime dokumentesh të pronësisë, krijimin e kompanive fiktive, faturime fiktive e dhënien e pagesave për punime që nuk janë kryer. Janë përdorur skema fiktive të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre.

Inceneratori i Elbasanit mori për periudhën 2015-2021, aq sa ishte dhe afati i koncesionit, rreth 2.4 miliardë lekë.

Inceneratori i Fierit mori për periudhën 2015-2022 rreth 4 miliardë lekë.

Në fillim të gushtit të këtij viti, SPAK nisi hetimin për inceneratorin e Tiranës. SPAK njoftoi se, po heton për veprat penale të “Mashtrimi me pasoja të rënda”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim.

Inceneratori i Tiranës ka marrë pagesa nga buxheti 5.5 miliardë lekë për 2019-2022, ndërsa në total ka arkëtuar, sipas bilancit rreth 9.9 miliardë lekë për shkak se merr dhe pagesa nga bashkitë dhe për shërbimin e heqjes së dherave. Për 2023-2024 buxheti parashikon të paguajë edhe 2.3 miliardë lekë të tjera. Ministria e Financave pohon se ndonëse koncesioni është në sekustro nga SPAK, pa një vendim gjykate financat nuk mund të ndërpresin pagesat, pasi rrezikon që koncesionari ta çojë në Gjykatën e Arbitrazhit.

Në maj 2022 SPAK nisi hetimin për koncesionin e check up . Ky koncesion ka marrë pagesa nga buxheti prej 4 miliardë lekësh në periudhën 2015-2022. Në 2023-2024 parashikohet të marrë edhe 1.75 miliardë lekë të tjera.

Në gusht të këtij viti, SPAK lëshoi 8 urdhër-arreste për ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë për abuzime me koncesionin e sterilizimit. Ky koncesion ka marrë pagesa prej 9.4 miliardë lekësh për periudhën 2015-2022. Koncesioni pritet të marrë edhe 3.5 miliardë lekë pagesa të tjera për 2023-2024.

Në gusht 2022, SPAK nisi hetimin për kontratën e partneritetit publik privat për shërbimin e laboratorëve mjekësorë, pas vlerësimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit se Ministria e Shëndetësisë e ka dhënë atë në kundërshtim me ligjin. Për periudhën 2020-2022, koncesioni ka marrë 2.7 miliardë lekë dhe pritet të arkëtojë edhe 3.6 miliardë lekë për 2023-2024./Monitor

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re