Bashkimi Evropian do të vendosë një “balancim me kundërmasa ” pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan futjen e tarifave doganore për importet e çelikut dhe aluminit nga Kanadaja, Meksika dhe BE-ja, tha kreu i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Masa doganore nga SHBA e cila do të hyjë në fuqi të premten në mesnatë, do t’i japë fund përjashtimit dy mujor që ishte i vlefshëm për aleatët kryesorë amerikane.

Këto përfshijnë detyrime prej 25 për qind për importin e çelikut dhe 10 për qind për importet e aluminit.

 “Kjo është një ditë e keqe për tregtinë botërore”, tha Juncker gjatë një fjalimi në Bruksel.

 “Ne do të paraqesim zgjidhje tonë të propozuar për Organizatën Botërore të Tregtisë. Në orët e ardhshme do të shpallim kundërmasat. Kjo është krejtësisht e papranueshme në tregtinë botërore që një vend ndërmerr masa të njëanshme”.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se reagimi i BE-së ishte “inteligjent, vendimtar dhe i zakonshëm”, duke shtuar se doganat nuk ishin në përputhje me rregullat e OBT.

Në Twitter, Manfred Weber, kreu i Partisë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, tha se Evropa nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse të mbrohej.

“Ne nuk do ta pranojmë këtë vendim pa reagim”, tha ai.

Meksika ka njoftuar gjithashtu masa reciproke për importet nga Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë mishin e derrit, mollët, rrushin, djathin dhe çelikun,  njoftoi Ministria Meksikane e Ekonomisë.

Reagim ka premtuar dhe Kanadaja.

Ndërsa Sekretari amerikan i Tregtisë, Wilbur Ross, i cili njoftoi futjen e doganave, tha se masat reciproke ndoshta do të kishin pak ndikim në ekonominë amerikane.

Ai shtoi se ai beson se marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të prekur nga këto tarifa nuk do të prishen në një afat të gjatë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re