Nga sot, rreth 30 mijë profesionistë të lirë do të tatohen në mënyrë progresive.

Regjimi i ri i hyrë në fuqi parashikon ndarjen në dy fasha tatimore për të vetëpunësuarit dhe personat fizikë tregtarë:  Tatimi 15% për fashën e parë të bizneseve me të ardhura vjetore deri 14,000,000 lekë në vit, ndërsa kategoria tjetër e bizneseve që kanë të ardhurat vjetore mbi këtw nivel, do të tatohen me 23%.

Sipas Ministrisë së Financave, 90% e totalit të bizneseve deklarojnë të ardhjura vjetore deri në 14 milionë lekë dhe për pasojë, pjesa më e madhe e tyre do të tatohen me normë 15%.

Në listën e profesioneve të lira që do t’i nënshtrohen regjimit të ri tatimor janë përfshirë 26 lloje aktivitetesh, të ndarë në 180 profesione, mes të cilëve shërbimet e IT, kontabilistët, avokatët, mjekët, pasuritë e paluajtshme, fotografët, financierët, etj.

Subjektet janë të detyruar të vazhdojnë të deklarojnë të ardhurat e tyre vjetore në formularët e vjetër sepse formularët e rinj nuk janë ende gati.

Nga llogaritë e Ministrisë së Financave, efekti i parashikuar në buxhet nga tatimi progresiv për profesionistët e lirë është 3 miliardë lekë më shumë.

Grupet e interesit e kundërshtojnë sistemin e ri tatimor, duke argumentuar se krijohet pabarazi mes taksapaguese sepse bizneset tregtare do të vijojnë të mos tatohen deri në 2029.

Nga ana tjetër, Ministria e Financave shpjegon se regjimi i ri tatimor është i nevojshëm sepse shumë profesionistë të lirë ofronin shërbimin e tyre për kompani të ndryshme ndërkohë që nuk paguanin tatim për shkak se janë të regjistruar si persona fizik.

Sipas ekspertëve administrata tatimore është e mbingarkuar dhe do ta ketë të pamundur të kontrollojë në mënyrë rigoroze zbatimin e ligjit, duke lënë hapësira për korrupsion.//

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re