Qeveria ka publikuar rregullat që do të duhet të zbatojnë taksitë, të cilat do të lejohen të punojnë nga 27 prilli.

Në portalin e-albania është publikuar lista e rregullave, ose protokolli i veçantë për taksistës, në kushtet e pandemisë.

Sipas Protokollit:

Shërbimi taksi ofrohet vetëm për transport brenda qytetit. Në asnjë rast nuk lejohet transporti ndërqytetas. Në rast kontrolli nga organet e policisë, pasagjeri duhet të tregojë arsyet e lëvizjes së tij në përputhje me ligjin. Në rast se automjeti kryen lëvizje ndërqytetase përgjegjësia bie mbi subjektin si dhe shoferin.

• Administratori/Personi Fizik Tregtar kryen çdo ditë vetëvlerësimin personal dhe të personave të punësuar nëse kanë simptoma të COVID-19 sipas checklistës së miratuar. Në rast të simptomave nuk duhet lejuar në asnjë rast vijimi i aktivitetit nga personi përkatës dhe duhet të raportohet menjëherë si rast në numrin 127.

• Çdo shofer është i detyruar të deklarojë nëse ka patur kontakt me persona të cilët rezultojnë apo kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.

• Çdo punonjës/tregtar që vëren shenja klinike gjatë qëndrimit në banesë nuk duhet të paraqitet në punë dhe duhet të lajmërojë menjëherë përfaqësuesin e entit administrues të tregut. Punonjësi duhe të telefonojë 127 dhe mjekun e familjes.

• Subjekti lejohet të veprojë vetëm në orarin e caktuar.

• Personeli i punësuar/Administratori/Personi Fizik Tregtar duhet të përdorë në çdo moment dorezat mbrojtëse. Dorezat ndërrohen çdo ditë.

• Personeli i punësuar/Administratori/Personi Fizik Tregtar duhet të mbajë në çdo moment maskën mbrojtëse duke mbuluar hundën dhe gojën. Maska ndërrohet çdo 3 ditë.

• Maskat, higjenizuesi dhe dorezat sigurohen nga subjekti pronar. Maskat mund të jenë edhe prej cope dhe në këtë rast duhet të ndërrohen çdo ditë.

• Në automjet duhet të ofrohet produkti higjenizues të duarve për klientët dhe të kujdeset për rimbushjen e tyre. Përqindja e substancës aktive duhet të jetë minimalisht 60%.

• Klienti dezinfekton duart në hyrje dhe dalje nga automjeti. Klienti mban dorezat dhe maskën mbrojtëse çdo moment.

• Pasagjeri ulet gjithmonë mbrapa dhe diagonalisht me shoferin e mjetit.

• Lejohet vetëm 1 klient në automjet në çdo rast, edhe kur udhëtarët janë nga një familje. Përjashtim bëjnë vetëm rastet e shoqërimit nga fëmijë të mitur apo persona me paaftësi.

• Në asnjë rast nuk lejohet kontakti fizik pasagjer-shofer.

• Kollitja dhe tështitja kryhen duke përdorur bryllin apo letër hundësh. Letra hidhet menjëherë në kosh.

• Shoferi kur kthehet në banesën e tij heq maskën dhe dorezat dhe lan duart e fytyrën për 20 sekonda me ujë dhe sapun. Dorezat dhe maska sipas rastit hidhen në kosh të mbyllur.

• Shoferët duhet të nxjerrin rrobat dhe uniformat e tyre në diell dhe ajrim pasi kthehen në banesë. Rrobat dhe uniformat duhet të lahen çdo 2-3 ditë.

• Kondicioneri duhet të jetë fikur dhe ajrosja të jetë natyrale.

• Subjekti duhet të kryejë dezinfektim të automjetit dhe larje pas çdo turni, sidomos të dorezave të dyerve e sediljeve. • Subjekti duhet të sigurojë ajrim sipas mundësisë minimalisht 5 herë në ditë.

• Pas veprimeve me cash/karta krediti shoferi dezinfekton duart me higjenizues.

• Subjekti duhet të afishojë listën e simptomave të COVID-19 sipas checklistës së miratuar.

• Subjekti duhet të afishojë detyrimin për vetëvlerësim të simptomave nga klientët dhe personeli i punësuar/adminstratori/personi fizik tregtar sipas formatit të miratuar ku përmendet përgjegjësisa administrative apo penale për personin që nuk merr masat sipas detyrimeve ligjore dhe numri jeshil për denoncim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re