Një komitet i OKB-së të mërkurën ka shtyrë vendimin se kush do të përfaqësojë Afganistanin dhe Mianmarin në organizatën ndërkombëtare prej 193 anëtarësh.

Ambasadorja e Suedisë në OKB, Anna Enestrom u tha gazetarëve pas një takimi të mbyllur të Komitetit të Kredencialeve të Asamblesë së Përgjithshme, të cilin ajo e drejtoi se Komiteti ka vendosur të shtyjë vendimin për kredencialet në këto dy situata.

Ky njoftim do të thotë se përfaqësuesit e talebanëve afganë dhe juntës ushtarake të Mianmarit nuk do të lejohen për momentin në organizmin botëror.

Komiteti i Kredencialeve, i cili përbëhet nga 9 anëtarë, ka mandat të shqyrtojë kredencialet e përfaqësuesve të shteteve anëtare dhe t’i raportojë Asamblesë së Përgjithshme për to.

Talebanët, të cilët morën pushtetin në mes të gushtit nga qeveria e njohur ndërkombëtarisht, kanë emëruar zëdhënësin e tyre me bazë në Doha, Suhail Shaheen, si ambasador të Afganistanit në OKB.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re