Skip to content

Talebanët festojnë teksa trupat e fundit amerikanë largohen nga Afganistani

Ka pasur të shtëna festive dhe fishekzjarre në të gjithë kryeqytetin afgan, Kabul, derisa të hënën trupat e fundit amerikane u larguan nga Afganistani, pak para afatit të 31 gushtit të rënë dakord me talebanët.

Vetëm dy javë më parë, talebanët kishin marrë Kabulin, ndërsa presidenti Ashraf Ghani u largua nga vendi.

Pentagoni tha se fluturimi i fundit tashmë është larguar dhe të gjitha forcat ushtarake amerikane tani janë jashtë Afganistanit.

“Sonte në orën 24:00 (koha e Afganistanit), ushtari i fundit amerikan u largua nga Afganistani. Vendi ynë fitoi pavarësinë e plotë. Falënderimi i takon Allahut. Urime të përzemërta për të gjithë bashkatdhetarët!”, tha Suhail Shaheen, zëdhënësi i grupit në Twitter.

“Falë Zotit, të gjithë pushtuesit janë larguar plotësisht nga vendi ynë”, shkroi në Twitter, Mohammad Naeem, zëdhënës i zyrës politike të talebanëve në Katar.

“Ne sërish bëmë histori. Pushtimi 20-vjeçar i Afganistanit nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO ka përfunduar sonte …”, shkroi Anas Haqqani, një zyrtar i lartë, në Twitter.

Videot e zëdhënësit Zabihullah Mujahid duke iu drejtuar një grupi luftëtarësh në Aeroportin e Kabulit u postuan gjithashtu në internet.

Shumë afganë që punuan me forcat perëndimore, nga frika e hakmarrjes, janë larguar nga Afganistani. Tani të gjithë sytë janë mbi talebanët se çfarë lloj rregulli do të vendosin në vendin e ndarë etnikisht. Grupi thotë se është në procesin e formimit të një qeverie “gjithëpërfshirëse”.