Kryeministri në detyrë i Afganistanit, Mullah Hassan Akhund të mërkurën u bëri thirrje qeverive ndërkombëtare që të njohin zyrtarisht administratën talebane në vend, duke thënë në një konferencë shtypi në Kabul se të gjitha kushtet janë përmbushur.

“U kërkoj të gjitha qeverive, veçanërisht vendeve islame, të fillojnë të na njohin,” tha Akhund në daljen e tij të parë publike që nga marrja e detyrës në shtator.

Fuqitë e huaja hezitojnë të njohin administratën talebane që pushtoi Afganistanin në gusht, ndërsa vendet perëndimore të udhëhequra nga SHBA kanë ngrirë asete bankare afgane në vlerë prej miliarda dollarësh dhe kanë ndërprerë fondet e zhvillimit që dikur përbënin shtyllën kurrizore të ekonomisë afgane.

Akhund dhe zyrtarë të tjerë të administratës talebane apeluan në një konferencë shtypi të ndjekur nga zyrtarë të Kombeve të Bashkuara për të lehtësuar kufizimet mbi paratë e vendit, duke fajësuar ngrirjen e fondeve për krizën në rritje ekonomike.

“Ndihma afatshkurtër nuk është zgjidhje, ne duhet të përpiqemi të gjejmë një mënyrë për t’i zgjidhur rrënjësisht problemet”, tha ai.

Komuniteti ndërkombëtar ka rritur ndihmën humanitare, të krijuar për t’iu përgjigjur nevojave urgjente dhe kryesisht për të anashkaluar kanalet zyrtare. Por ndërsa vendi përballet me një krizë monetare dhe një ekonomi në përkeqësim gjatë një dimri të ashpër, miliona njerëz kanë kaluar kufirin e varfërisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re