Skip to content

Talenti i Benfikës merr shtetësi shqiptare për të mbrojtur ngjyrat kuqezi, Veliaj: Jemi pjesë e një skuadre, për emancipim dhe progress

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Adrian Bajrami cilësohet si një nga lojtarët me të ardhme premtuese në Portugali.

 

I lindur në Zvicër dhe lojtar i Benfikës, Bajrami u betua së bashku me 10 shtetas të tjerë, para kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për besnikëri ndaj shtetit shqiptar, duke zgjedhur para kombëtares helvete, përfaqësimin e ngjyrave kuqezi.

 

Në ceremoninë e betimit për marrjen e nënshtetësisë shqiptare, kryebashkiaku Veliaj tha se ky akt shënon një lloj dakordësie për të punuar si një skuadër për emancipim dhe zhvillim.

 

“Ky akt nuk është vetëm nënshkrimi i një shtetësie, është edhe dakordësia jonë e përbashkët, se do jemi pjesë e një misioni, do jemi pjesë e një skuadre, e një beteje për emancipim, progres dhe për zhvillimin e vendit dhe të kombit tonë. Sot fillon një rrugë e re, një rrugë ku do të jemi të gjithë bashkë, me miliona të tjerë, për ta bërë këtë vend më të bukur, për ta bërë këtë komb më të ndritur, edhe për ta lartësuar të gjithë atë që është qenia shqiptare”, deklaroi Veliaj.

 

Teksa nënvizoi se destini i qytetit është zhvillimi dhe rritja e tij, Veliaj u shpreh se Tirana u ofron të gjithëve shansin për të ndërtuar të ardhmen e tyre.

 

“Unë e di që kush vjen në Tiranë e kush e merr pasaportën e Shqipërisë, apo kush transferohet nga një qytet tjetër i Shqipërisë, mbasi kalon vetë këtë provë, fillon dhe thotë: ‘Kryetar, shumë pallate bëhen në Tiranë, shumë po urbanizohet Tirana’. Mos e harroni këtë ditë! Kur ju ishit të fundit që erdhët, nëse Tirana pati vend për ju, do të duhet të ketë vend edhe për ata që do të betohen të hënën tjetër, edhe pas disa të hënave, edhe vitin tjetër, edhe pas 5 vitesh, kur unë të mos jem më i kryetar i Bashkisë. Pra, do të duhet të pranojmë që, nëse duam të jetojmë në një vend të madh, kjo mundësi do u ofrohet të gjithëve”, tha ai.

 

Kreu i Bashkisë deklaroi se pavarësisht një minorance të zhurmshme dhe penguese, shumica e qytetarëve janë të hapur.

 

“Sigurisht, si çdo qytet i madh, edhe vendet prej nga ju vini, edhe ne kemi një kor të vogël, por të zhurmshëm, të atyre që janë cinikë, që janë skeptikë, dyshues, që janë pengues, ama janë minorancë dhe gjithmonë është e rëndësishme të mos i bashkohesh atij kori. E nëse kjo zemër e madhe është hapur për të gjithë do të duhet të hapet edhe për të tjerë që do vijnë pas jush”, theksoi Veliaj.

 

Kryetari i Bashkisë u shpreh se vlerësimet ndërkombëtare për organizimin e Conference League, ishin tregues i qartë se kur shqiptarët bëhen bashkë, mund të bëjnë gjëra të mëdha.

 

“Kemi treguar se jemi një komb europian, jemi njerëz të disiplinuar dhe dimë të organizojmë shtet dhe qytet. Ne kemi një rend publik, ku sigurisht dimë të gëzojmë dhe të festojmë, por jo duke e tepruar dhe duke shkatërruar qytetet dhe jo të futemi si vandalë në stadiume. Fakti që morëm vlerësim si Tiranë, që kemi organizuar më mirë se Sevilja dhe Parisi, do të thotë se ne shqiptarët e paskemi në dorë vetë. Arritëm të tregojmë që, kur ne shqiptarët duam, kur ne shqiptarët dimë, ne shqiptarët mundemi”, u shpreh Veliaj.

 

Pas leximit të formulës së betimit nga Kryetari i Bashkisë, shtetasit nga Zvicra, Kosova, Turqia dhe Egjipti nënshkruan edhe aktin e betimit.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë