Qeveria talebane kritikoi Princin Harry pasi ai shkroi në kujtimet e tij se vrau 25 njerëz që ai i përshkroi si “gurë shahu të hequra nga tabela” gjatë shërbimit të tij ushtarak në Afganistan.

Kujtimet e Harry-t, pjesë të një libri, janë publikuar disa ditë para publikimit të tij global, i cili është planifikuar për në 10 janar.

Ato zbulojnë thellësinë e përçarjes mes princit dhe vëllait të tij, trashëgimtarit të fronit William, si dhe detaje të tjera pikante, si informacione për përdorimin nga ana e tij e drogës dhe se si e humbi virgjërinë, transmeton Reuters.

Në një pjesë të librit, 38-vjeçari përshkruan dy qëndrimet e tij në Afganistan.

Ai ishte atje për herë të parë si kontrollor i trafikut ajror në vitin 2007/08 dhe përsëri në vitin 2012, kur ishte bashkë-pilot në helikopterët Apache. Ai shkruan për numrin e njerëzve që vrau atje.

“Nuk kam menduar për njerëzit”

“Nuk është një statistikë që më mbush me krenari, por nuk mund të them se më vë në siklet”, ka shkruar Harry, sipas versionit spanjoll të librit.

“Kur e gjeta veten në vapën e betejës, nuk mendoja për njerëzit, i imagjinoja si gurë shahu të hequra nga tabela, të eliminuar para se t’u jepej mundësia të vrisnin djemtë e mirë”.

Abdul Kahar Balkhi, një zëdhënës i ministrisë së jashtme të Afganistanit të udhëhequr nga talibanët, kritikoi komentet e Harry-t.

“Okupimi perëndimor i Afganistanit është një moment vërtet i neveritshëm në historinë njerëzore dhe komentet e Princit Harry janë një mikrokozmos i traumës që kanë kaluar afganët ndërsa forcat okupuese vrasin njerëz të pafajshëm pa përgjegjësi,” komentoi ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re