Zabiullah Mujahidi vlerësoi për Grupin Mediatik Kinez vrasjen e 10 civilëve nga e njëjta familje, 7 prej të cilëve fëmijë, në sulmin e 29 gushtit, ku një dron amerikan goditi një automjet në kryeqytetin Kabul të Afganistanit.

I emërua “Zëvendësministër i Kulturës dhe Informacionit” në qeverinë e përkohshme të formuar në Afganistan, Zabiullah Mujahidi tha se ky sulm me pasojë vdekjen e 10 civilëve nuk ishte rasti i vetëm që inkriminonte SHBA-në.

“Ajo (SHBA) martirizon civilë në Afganistan prej 20 vjetësh”, u shpreh ai.

Duke dënuar incidentin që ai e përshkroi si shkelje të të drejtave të njeriut, Mujahidi tha se pakujdesitë si kjo çojnë në katastrofa humanitare.

“Shtetet e Bashkuara duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre në të kaluarën dhe të bashkëpunojnë me popullin e Afganistanit si një mënyrë për të zhdëmtuar vdekjet dhe shtypjen në vend”, vlerësoi zyrtari taliban.

Ndërsa ushtria amerikane ishte në fazat përfundimtare të tërheqjes së saj nga Afganistani, u raportua se një dron i Forcave Ajrore të SHBA-së ndoqi për orë të tëra dhe goditi në Kabul më 29 gusht një automjet me pretendimin se “i përkiste elementeve të DAESH/H, degë afgane e DAESH-it, dhe se do të kryente një sulm në aeroportin e Kabulit”.

Më pas u konstatua se 43-vjeçari Zumaray Ahmedi, i cili u vërtetua që punonte si inxhinier elektrik në “Nutrition and Education International” (NEI), një grup bamirësie dhe lobimi me seli në Kaliforni, vdiq si pasojë e sulmit ajror bashkë me 9 civilë të tjerë anëtarë të së njëjtës familjeje, mes tyre edhe 7 fëmijë, teksa hyri në oborrin e shtëpisë së tij.

Gjithashtu u mësua se Ahmed Nasser, një prej viktimave të sulmit në fjalë, ishte një përkthyes që punonte për ushtrinë amerikane.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re