Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një konferencë për shtyp komentoi edhe takimin e kryeministrit Edi Rama me emigrantët shqiptarë në Athinë, të cilën e cilësoi si tallavanë më të fundit, e cila ka kushtuar dhjetëra milion euro.
Meta shtoi se të gjithë e dinë që në atë takim Rama mori të gjithë administratën me vete në Athinë, ndërsa gjëja më e mirë për ata pak shqiptarë që kishin shkuar vetë atje, ishin këngëtarët e njohur.
“Tallavaja më e fundit që u shndërruar në një fortunë memesh anembanë.
Është një regjim i kalbur dhe i korruptuar në palcë. Të gjithë e dinë që e gjithë administrata zhvilloi një ekskursion në Athinë dhe është një rast i qartë të shpërdorimit të pozitës së kryeministrit për qëllime partiake.
Ishte e pamundur që të kalohej koha pa këngëtarët dhe këngëtarët e njohur atje dhe ky ndoshta ishte i vetmi element pozitiv për shqiptarët e shkuar atje.
Partia e Lirisë ka qenë dhe është pro për votën e Diasporës” tha Meta.
I pyetur nëse opozita do të ketë takime në Diasporë, ai tha se mezi po presin që të nisin takimet me shqiptarët kudo në Diasporë, pasi sipas tij ka një shpërthim, pasi ata e dinë se kush i ka përzënë dhe se kush do t’i rikthejë në vendin e tyre.
“Mezi po presim. Mezi po presin çunat në Londër e Glasgow. Por do të jetë kudo, ka një shpërthim të diasporës gjithandej.
Ata e dinë shumë mirë se kush i ka përzënë dhe e dinë se kush do t’i kthejë në vendin e tyre.
Me tallavanë që ka shkaktuar dhjetëra milion euro, mund të ishin përdorur për rritjen e pensioneve” shtoi ai.



