Spërkatja me bojë e kryeministrit Edi Rama nga deputeti demokrat Edi Paloka ka bërë jehonë edhe në mediat e huaja prestigjioze ndërsa videoja është bërë virale në internet. “ITV” një prej televizioneve më të mëdha në Britaninë e Madhe ka bërë ironi me atë që ndodhi në parlamentin shqiptar.

“Teksa politikanët britanikë kanë ndarë poemat e Ditës së Shën Valentinit me njëri-tjetrin në Dhomën e ulët, ligjvënësit e Shqipërisë kanë shprehur ndjenjat e tyre krejt ndryshe. Një mbledhje e parlamentit shqiptar u pezullua pasi një politikan opozitar, Edi Paloka, hodhi bojë në kryeministrin e vendit.

Incidenti ndodhi përpara se ligjvënësit të votonin mbi memorandumin për të lejuar që Maqedonia e Veriut e sapoemëruar të bashkohet me NATO. Qeveria e majtë u akuzua për korrupsion gjatë debatit, por kryeministri Edi Rama i mohoi akuzat. Në këto moment u hodh bojë mbi të. Pamjet tregojnë se deputetin e nxjerrin jashtë nga salla ndërsa kreu i qeverisë qëndronte në karrige i lyer me bojë”– shkruan ITV.

Më serioze është Fox News që raporton se deputeti i opozitës u përjashtua për 10 ditë pasi hodhi bojë mbi kryeministrin. Akti erdhi pas akuzave për korrupsion në një seancë kur do të votohej hyrja e Maqedonisë së veriut në NATO. Sipas Fox News që u referohet agjencive të lajmeve, akti i deputetit të opozitës erdhi pas disa ofendimeve nga ana e kryeministrit. Të njëjtat burime citojnë edhe policinë sipas së cilës bëhet fjalë për një përgatitje kimike dhe hetimet penale që kanë filluar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re