Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka shkarkuar nga detyra inspektorin e tatimeve pasi ky i fundit u arrestua nga policia e Tiranës nën drejtimin e SPAK, për shkak se akuzohej për korrupsion.

Në njoftimin e shpërndarë për shtyp, Tatimet shprehin mbështetjen ndaj Policisë së Tiranës për arrestimin e 37-vjeçarit që punononte si inspektor nё Drejtorinë e Hetimit Tatimor.

Ajo i bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast shkelje dhe veprim korruptiv.

“Drejtoria e Pёrgjithshme e Tatimeve nё mbёshtetje tё operacionit tё ndёrmarrё nga Policia e Tiranёs, “Tatimori”, pёrshёndet aksionin e fundit tё kryer nga ky autoritet, ku sё fundmi ёshtё konstatuar se njё inspektor në Drejtorinë e Hetimit Tatimor në DPT ёshtё dyshuar dhe arrestuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Drejtoria e Pёrgjithshme ёshtё e vendosur tё mbёshtesё ҫdo veprimtari tё Policisё sё Shtetit nё luftёn kundёr korrupsionit dhe evazionit fiskal nё Administratёn Tatimore dhe mё gjerё.

Pas njoftimit pёr ngjarjen e ndodhur, DPT ka marrё masat e nevojshme administrative pёr largimin e menjёhershёm tё inspektorit nga detyra.

Drejtoria e Pёrgjithshme e Tatimeve dёshiron tё ritheksojё angazhimin e saj nё garantimin e njё shёrbimi tё ndershёm dhe transparent, si dhe tё sigurojё ndёrtimin e njё administrate publike funksionale bashkёkohore nё funksion tё tё gjithё tatimpaguesve, vendit dhe shoqёrisё shqiptare.

DPT do tё vazhdojё tё jetё e angazhuar maksimalisht deri nё pastrimin e të gjithë figurave të cilat ushtrojnë funksione publike dhe abuzojnë me to në kurriz të biznesit dhe qytetarëve shqiptarё. Ftojmё të gjithë tatimpaguesit dhe qytetarët të denoncojnë ҫdo veprim korruptiv të strukturave të Administratës Tatimore në të gjitha nivelet”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të shpërndarë nga Policia e Shtetit, ky person iu kërkonte dhe iu merrte shuma parash subjekteve private, si këmbim për të mos i hetuar dhe mos i referuar në prokurori, kur këto subjekte konstatoheshin në shkelje. Ndërkohë në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar shumën monetare prej 5000 eurosh, të cilën ai ia kishte marrë administratorit të një subjekti privat.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re