Ndryshon qasja e tatimorëve ndaj biznesit në qarkun e Korçës. 4 grupe nga Drejtoria Rajonale Tatimore kanë dalë në terren në të gjithë qarkun për të ndërgjegjësuar subjektet, kryesisht ato me TVSH, por edhe bizneset e vogla lidhur me mbajtjen e rregullt të dokumentacionit, lëshimin e kuponit tatimor, marrjen e mallit me faturë dhe sigurimin e punonjësve.

 

Drejtori Juxhin Saro thotë se bazuar edhe në këshillat e FMN, tashmë synohet të rritet bashkëpunimi mes administratës tatimore dhe biznesit me qëllim rritjen e të ardhurave të vetëdeklaruara nga ana e tatimpaguesve, por edhe uljen e presionit të kontrolleve nga ana e tatimorëve.

 

Gjatë vizitave në subjekte inspektorët i lenë biznesit një format me gjetjet apo problematikat e hasura, gjë të cilën e bëjnë edhe në rastet kur nuk gjenden probleme. Sipas drejtorit Saro vizita të tilla me qëllim ndërgjegjësimin e subjekteve do të kryhen disa herë dhe vetëm më pas nëse subjekti nuk merr masa për çështje të caktuara ai do i nënshtrohet kontrolleve të mirëfillta dhe vizitave fiskale.

 

Megjithëse kjo qasje e re ka vetëm dy javë që po aplikohet, drejtori rajonal i tatimeve për qarkun e Korçës thotë se ka një rritje të prerjes së kuponave tatimorë nga ana e bizneseve ç’ka është vënë re menjëherë pas nisjes së këtyre vizitave.

 

Në të gjithë qarkun e Korçës janë rreth 1700 biznese me TVSH të cilat do të vizitohen nga ana e tatimorëve ndërkohë që vizita do të kryhen edhe në pothuajse të gjitha bizneset e vogla shifra e të cilave është shumë herë më e lartë.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re