Taulant Balla është shprehur se do të propozojë në mbledhjen e qeverisë marrjen në administrim të pikave kufitare, nga Ministria e Brendshme.

Deklaratën, ministri i Brendshëm, e bëri nga Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, teksa u pyet se çfarë masash do merren në lidhje me pikën kufitare të Bllatës, ku fluksi i mjeteve është shtuar për shkak të Rrugës së Arbrit.

“Dua të ndaj me ju informacionin se po punojmë për një qasje të re në pikat e kalimit kufitar. Si Ministri e Brendshme, do të kërkojmë marrjen në administrim për t’i dhënë fund lloj lloj ndërtimesh që gjenden në hapësirat e kalimit kufitar dhe përmirësimin e shërbimit. Edhe pika e Bllatës do të ketë vëmendjen tonë për përmirësimin e shërbimit”, tha Balla.

Ministri gjithashtu u pyet në lidhje me arrestimin e Julian Meçajt në Dubai. Balla tha se policia ka akses në çdo territor, ndërsa shtoi se kanë dorëzuar dhe draft marrëveshjen për të mundësuar ekstradimin në Shqipëri.

“Për policinë e shtetit nuk ka më asnjë territor dhe jashtë vendit që të mos jetë i aksesueshëm nga ana jonë, Kemi një nivel tjetër bashkëpunimi me Interpolin. Falë bashkëpunimit kemi identifikuar dhe ndaluar një person shumë të kërkuar nga drejtësia shqiptare dhe jemi në rrugën e duhur. Edhe dorëzuar dhe draft marrëveshjen për të mundësuar ekstradimin nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Shpresoj të kemi një marrëveshje ekstradimi sa më shpejt”, tha ai.

Ndërsa në lidhje me fatin e Ervis Martinajt, Balla tha: “Është një pyetje që më bëhet sa herë komunikoj me ju (gazetarët). Ju garantoj se jo vetëm për këtë ngjarje, por për secilës ngjarje të rëndë kriminale, Drejtori i Përgjithshëm i policisë i shkon në fund.”

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re