Pak ditë më parë, ambasadorja e Ukrainës në SHBA si dhe një sërë grupesh për të drejtat e njeriut, akuzuan Rusinë se ka nisur të përdorë bomba termobarike në Ukrainë, armë të cilat sjellin një shkatërrim të jashtëzakonshëm.

E prej disa ditësh tashmë, po flitet për këto armë tepër të rrezikshme në të gjitha mediat botërore. Por çfarë janë armët termobarike, të njohura ndryshe edhe si bomba me vakum.

Më poshtë po përcjellim një shpjegim të BBC-së, në lidhje me mënyrën sesi funksionojnë këto armë

Si funksionon një bombë me vakum

Një bombë me vakum, e quajtur ndryshe një bombë me aerosol, konsiston në një raketë të ndarë me dy ngarkesa shpërthyese.

Të tilla bomba mund të qëllohen si raketa ose të lëshohen si bomba nga avionët. Në momentin që një armë e tillë godet objektivin, ngarkesa e parë shpërthyese shpërndan një përzierje karburantesh në formën e një reje. Këto materiale me bazë karboni janë lehtësisht të ndezshme (flamable).

Kjo “re” mund të penetrojë lehtësisht çdo ndërtesë që nuk është plotësisht e vulosur. Një ngarkesë e dytë më pas “ndez” renë e gazrave, duke krijuar shpërthimin ose më konkretisht; një lëmsh të madh zjarri, një rreze të fuqishme shpërthimi dhe një vakum që arrin të “përthithë” të gjithë oksigjenin vërdallë.

Një foto shpjeguese

Shperthimi i pare krijon nje re me material shperthyes. Ngarkesa e dyte ndez materialin ne fjale duke shkaktuar nje shperthim masiv qe eshte i afte te AVULLOJE trupin e njeriut

Kjo lloj arme mund të shkatërrojë edhe ndërtesat e përforcuara. Shumica e raketave apo bombave të tilla që lëshohen nga qielli, janë dizenjuar specifikisht për të vrarë njerëz që ndodhen në shpella, tunele apo komplekse të përforcuara (bunkierë). Efektet më të rënda të kësaj arme, janë pikërisht në hapësirat e mbyllura.

Ku janë përdorur këto armë

Municionet termobarike kanë nisur të krijohen fillimisht që në Luftën e Dytë Botërore nga ana e Gjermanisë naziste. (Në LIIB raketa të tilla kishin si lëndë aktive pluhurin e qymyrit). Këto armë nuk ishin sofistikuar deri në fund të viteve ’60, kur SHBA-të i përdorën në Vietnam. Bashkimi Sovjetik (Rusia) po ashtu i ka përdorur këto bomba në Afganistan (vitet ’80).

Po SHBA-të i kanë përdorur këto armë në Afganistan. Fillimisht në vitin 2001, teksa mundoheshin të shkatërronin bazat e al-Qaeda në malet Tora Bora. Më tutje në vitin 2017 kundër ISIS.

Forcat amerikane perdoren arme termobarike ne Afganistan

Rusia i përdori në luftën në Çeçeni në vitin 1999. U raportua po ashtu se të tilla bomba ruse u përdorën në Siri nga Bashar al-Assad.

Sofistikimi i bombave me vakum

Në vitin 2003, SHBA-të testuan një bombë 9800 kilogramë, e cilësuar si “Nëna e të gjitha bombave” (shiko këtu videon). 4 vite më vonë, Rusia krijoi një bombë të ngjashme dhe e ‘pagëzoi’ “Babai i të gjitha bombave”. (Shiko këtu videon)

Kjo e fundit krijoi një shpërthim të barabartë me një bombë 44 tonëshe, duke u bërë kësisoj bomba më e madhe (jo nukleare) në botë.

Cilat janë rregullat e luftës për bombat me vakum?

Nuk ka ligje specifike ndërkombëtare që ndalojnë përdorimin e tyre, por nëse një shtet i përdor këto bomba për të qëlluar mbi popullatën civile, shkollat apo spitalet, atëherë shteti në fjalë mund të përballet me akuzën e krimeve të luftës sipas Konventës së Hagës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re