Pas disa tentativave për të hyrë dhe marrë me forcë selinë e Partisë Demokratike, Sali Berisha ka thirrur në 8 janar 2021 një protestë para selisë blu, në formë presioni ndaj Lulzim Bashës, të cilit i kërkon të largohet bashkë me lindershpin. Nga ana e tij, Lulzim Basha, ultimatumeve të Berishës për të dorëzuar selinë, i është përgjigjur duke marrë masa dhe fortifikuar ndërtesën, duke i paraprirë një sulmi të mundshëm. Pjesë e grupit të Sali Berishës që po rrethon dhe ndërmerr sulme ndaj selisë së Partisë Demokratike, rezultojnë edhe disa personazhe që kanë qenë protagonistë të grushtit të shtetit të 14 shtatorit të vitit 1998.

Frymëzues dhe organizator në prapaskenë i grushtit të shtetit ishte pikërisht Sali Berisha, i cili pushtoi me grupe të armatosura për disa orë Kryeministrinë, RTSH, Gjykatën Kushtetuese, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Kulturës, ndërsa një granatë u hodh në zyrën e kryetarit të Kuvendit, Skënder Gjinushi. Sulmi në terren u udhëhoq edhe nga Sali Lusha, Genc Pollo dhe Myftar Lumeshi, të cilët 24 vite më vonë, i janë bashkuar aksionit të Berishës për të pushtuar selinë e Partisë Demokratike. Treshja pritet të bëhet pjesë e protestës së 8 janarit 2021, përmes të cilës Berisha do të rrethojë Lulzim Bashën në seli.

Në dosjen e prokurorisë për ngjarjet e rënda të 14 Shtatorit 1998, se Lusha, Lumeshi etj., pas thirrjes së Berishës, kanë udhëhequr sulmin ndaj institucioneve shtetërore, pasi Berisha kishte akuzuar më herët Fatos Nanon se fshihej pas vrasjes. Protagonistë të sulmit, sipas prokurorisë, ishin edhe Ekrem Spahia, Jemin Gjana, Leonard Demi, Shaban Mamia, Frrok Gjini, Hysni Gjyrici, Dem Dollapi etj. Procesi gjyqësor u zvarrit dhe deformua, sa që në vitin 2002, asnjë nga të akuzuarit nuk ishte më në burg. Protagonist i lirimeve dhe dënimeve qesharake ishte edhe ish gjyqtari i famshëm Gjin Gjoni.

Nëse në 14 shtator 1998 Sali Berisha pushtoi institucionet kryesore me grupet e paarmatosura, por u tërhoq pas një ultimatumi që mori nga Departamenti Amerikan i Shtetit, 24 vite më vonë synon të pushtojë me forcë Partinë Demokratike. Ashtu si 24 vite më parë, edhe këtë herë Sali Berisha ka përballë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që mbështetin Lulzim Bashën. Konflikti Berisha-Basha shpërtheu në 9 shtator 2021, kur Lulzim Basha, me kërkesë të SHBA, pezulloi Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së, për shkak se ishte shpallur non grata nga DASH për korrupsion madhor, shantazh ndaj drejtësisë dhe minim të demokracisë./ Adriatik Doçi, Shqiptarja.com

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re