Të ardhurat nga taksat e automjeteve, duke përfshirë edhe taksën e qarkullimit mbi karburantin, arritën 26.7 miliardë lekë (217 ) milionë euro në vitin 2021 me një rritje 13% në krahasim me vitin 2020, sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Nga vlera e totale e taksave që paguan automjetet, 73 për qind (rreth 160 milionë euro) ishin të ardhura që u siguruan nga arkëtimet e taksës së qarkullimit.

Të ardhurat nga taksa e qarkullimit u rriten me 15.6 për qind në vitin 2021, kryesisht prej rritjes së konsumit pas pandemisë Covid-19.

Taksa e qarkullimit e cila vilet tek nafta ka si qëllim grumbullimin e fondeve për të investuar dhe mirëmbajtur infrastrukturën rrugore të vendit, po qeveria shqiptare historikisht ka investuar në mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore shumë më pak se arkëtimet. Fondet e brendshme për mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore me 2021 ishin 1,1 miliardë lekë ose 18 herë më të ulëta se të ardhurat nga taksa e qarkullimit.

Taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin aktualisht është në masën 27 lekë/litër. Kjo taksë paguhet për sasinë e benzinës dhe të gazoilit të importuar apo të prodhuar në vend, me përjashtim të sasisë së benzinës dhe të gazoilit të prodhuar në vend, por të eksportuar jashtë territorit të Shqipërisë. Taksa paguhet nga qytetarët gjatë furnizimit me naftë ose benzinë në pikat e tregtisë me pakicë.

Sakaq opinioni publik kohët e fundit është përfshirë në debatin se barra fiskale me destinacion mirëmbajtjen e rrugëve ishte e lartë, teksa qeveria po vjel taksa direkte në rrugët kombëtare, duke nisur me rrugën e Kombit dhe në plan janë dhe rrugë të tjera kombëtare.

Shqipëria ka nivelin e taksimit më të lartë në rajon për naftën, për rrjedhojë vendi ka edhe e çmimin më të lartë të produktit në tregjet e pakicës. Të ardhurat nga taksa e qarkullimit zënë rreth 9% te të ardhurave tatimore.

Komisioni Europian nëpërmjet programit IPA ka dhënë konsulencë teknike për planin e mirëmbajtjes që po zbaton qeveria konstaton se shpenzimet buxhetore për mirëmbajtjen e rrjetit rrugor kombëtar janë më të ulëta se, pagesat e përdoruesve të mbledhura (taksat e akcizës së karburantit, taksat e karburantit të qarkullimit”.

Zhvillimi dhe modernizimi i infrastrukturës së transportit në Shqipëri ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet kryesore të Qeverisë Shqiptare.

Përkundër investimeve të rëndësishme sidomos në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, sektori i transportit ende nuk është bërë një promotor i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik në Shqipëri.

Vendet e BE-së kanë miratuar një plan për një zonë të përbashkët të transportit europian drejt një sistemi konkurrues dhe efikas të burimeve të transportit.

Në kuadër të këtij plani deri në vitin 2030, 30% e transportit rrugor mbi 300 km distancë duhet të zhvillojë transportin hekurudhor./ Monitor

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re