Prej disa ditësh në disa burgje të vendit të dënuarit kanë shpërthyer në revoltë. Për këtë situatë, foli në Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca duke thënë se institucioni që ajo drejton ka kryer inspektime në burgjet e vendit, ndërsa thekson se kanë informacion ndryshe nga ajo që është raportuar në media.

Sipas, Ballancës, nga Drejtoria e Burgjeve janë vënë në dijeni se të dënuarit nuk janë në një grevë të mirëfilltë, ata kanë refuzuar ushqimin që u jepet nga institucioni, dhe marrin vetëm atë që u sjellin familjarët.

“Kemi bërë edhe disa inspektime. Programi ynë për shkak të Covid është i kufizuar. Ne kemi marrë informacion dhe do të vazhdojmë të bëjmë verifikimet përkatëse.

Informacionet që kemi nga drejtoria Burgjeve është se nuk jemi para grevës së urisë, por një proteste e refuzimit të ushqimit të ardhur nga institucioni, kjo nuk do të thotë se të burgosurit refuzojnë ushqimet që u vijnë nga familjarët. Pra nuk jemi në grevë urie, por një forme proteste që duhet marrë në konsideratë.

Në Shënkoll jo të gjithë të dënuarit ishin të solidarizuar. Kemi marrë edhe një sërë ankesash nga të burgosurit”, tha ajo në një intervistë për Abc News.

Më tej, Ballanca foli për shqetësimet që kanë ngritur të burgosurit, të cilat lidhen me situatën e pandemisë, ku janë shtuar masat kufizuese për ta.

Sipas, Avokates së Popullit, ndalimi i takimeve nuk është cenim i të drejtës së tyre, pasi bëhet për të ruajtur shëndetin. Nga ana tjetër, Ballanca thekson se Drejtoria e Burgjeve duhet të gjejë zgjidhje alternative, ndoshta komunikime online me familjarët.

“Unë mendoj se të burgosurit kanë ndjeshmërinë e tyre dhe mendoj se është një periudhë e gjatë kohe në të cilën të drejtat e tyre u janë kufizuar për shkak të pandemisë, pavarësisht se cënon të drejtat, nuk është proporcional, pasi rreziku që vjen nga takimet mund të jetë më i madh. E gjithë bota është duke kaluar një periudhë shumë të vështirë. Nuk e konsiderojmë një problem proporcional. Unë mendoj se duhet të ishin gjetur alternativa të tjera të zëvendësoheshin komunikimet fizike në ato online.

Institucioni që unë drejtoj ka kërkuar ndryshimin e vendimit, për të rritur kuotën ushqimore. Të burgosurit kërkojnë se duke qenë se janë të izoluar, ata kërkojnë që të hapen sallat e lojërave të përbashkëta. Dhe kjo më duket se duhet të trajtohet nga ana e drejtorive të Burgjeve, duke ruajtur rregullat”, deklaroi ajo.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re