Motra e Fred Lamaj, policit që dhunoi babë e bir në Fier, ka dalë me një deklaratë publike për të sqaruar akuzat e ditëve të fundit.
Ajo theksoi se vëllai i saj nuk ka qenë pjesë e asnjë dhune apo konflikti dhe se ajo ka depozituar një kallëzim penal ndaj Mecajt, pasi e ka ngacmuar në mënyrë të vazhdueshme. Në një deklaratë të bërë për media, motra e Lamajt sqaron se Altin Mecaj ka shpifur për të paraqitur vëllain e saj si agresor dhe dhunues.
Ajo thekson se komunikimi ka qenë i njëanshëm përmes mesazheve të vazhdueshme në rrjete sociale, të cilat përbëjnë ngacmim dhe përndjekje.
Motra e policit, tha gjithashtu se pretendimet për dhunë nuk kanë lidhje me familjen e saj dhe nuk janë shkaktuar nga vëllai apo persona të afërt. Ndërkohë, ajo ka publikuar edhe mesazhet në Facebook, ku shihet se Meçaj i shkruante vazhdimisht dhe i shprehte dashurinë.
“Kam qenë e detyruar të vij nga Italia, ku jetoj, për të depozituar kallëzim penal për përndjekje ndaj këtij shtetasi, pasi veprimet e tij kanë sjellë pasoja të rënda në jetën time dhe kanë prekur edhe vëllain tim. Kjo është hera e parë që flas publikisht dhe në media dhe po e bëj vetëm sepse ndihem e detyruar të sqaroj disa të pavërteta që po përsëriten prej ditësh.
Unë jam motra e Fredi Lamaj dhe dua të sqaroj se akuzat e shtetasit Altin Mecaj, sikur vëllai im e ka dhunuar, nuk janë të vërteta. Fredi Lamaj nuk ka marrë pjesë në asnjë rrahje apo konflikt, dhe kjo mund të faktohet. Po flas sepse prej më shumë se 6–7 ditësh ky shtetas po del vazhdimisht në media, duke dhënë deklarata të pavërteta dhe duke u paraqitur padrejtësisht si viktimë.
Në mënyrë të veçantë, ai ka deklaruar publikisht se ndaj meje ka bërë vetëm një koment në Facebook, si një kompliment, gjë që nuk është e vërtetë. Në realitet, unë kam qenë subjekt i mesazheve të shumta private, të vazhdueshme dhe insistuese, të cilat përbëjnë ngacmim dhe përndjekje.

