Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish skandalin e publikimit të pagave të qindrave qytetarëve shqiptarë.

Kreu i qeverisë i është përgjigjur komentit të një qytetareje në ‘Facebook’, e cila i ka shprehur shqetësimin për të dhënat e shqiptarëve që janë në duart e grupeve kriminale.

Ndërsa, një tjetër komentues e ka pyetur Ramën lidhur me diferencën e madhe të pagave mes njerëzve të thjeshtë dhe personave të tjerë të cilët paguahen deri në dhjetëra dhe qindra milionë në muaj.

Në përgjigjien e tij, Rama shkruan se ngjarje të ngjashme kanë ndodhur edhe në shtete shumë më të madha, ndërsa thekson se prokuroria duhet të nxjerrë sa më parë fajtorin.

“Nxjerrja e të dhënave është një problem me te cilin ballafaqohen të gjitha vendet në epokën e teknologjisë digjitale, qoftë për shkak të sulmeve kibernetike apo qofte si pasojë e veprimeve kriminale të individëve brenda sistemeve shtetërore!

Amerika, Anglia, Franca e me radhë kanë pasur ngjarje të ngjashme dhe madje në ndonjë rast me pasoja tejet të rënda përtej kufijve të vet shtetit, por ky nuk është kurrsesi justifikim, përkundrazi.

Prandaj uroj që prokuroria të nxjerrë së shpejti fajtorin dhe drejtësia t’i japë ndëshkimin e merituar, ndërkohë që në do të finalizojmë sa më parë marrëveshjen që po punojmë prej disa kohësh, për të marrë një njësi të mirënjohur amerikane në mbrojtje të sistemeve tona informatike”, shrkaun Rama ndër të tjera.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re